Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq tha se Serbia dhe bota serbe po përballet me vitin më të vështirë në historinë e fundit, me konflikte e trazira, prandaj detyra më e rëndësishme, siç tha ai, është ruajtja e paqes dhe qetësisë. Këto komente Vuçiq i ka bërë në 182-vjetorit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve.
Presidenti serb tha se bota, vitin e ardhshëm përballet me zgjedhje të shumta, nga Tajvani dhe SHBA, deri në Rusi dhe Ukrainë, ndërsa shprehu shqetësim se edhe viti 2024, do të jetë i vështirë për mbarë serbët.
Presidenti serb përmendi Kosovën dhe Republikën Serbe, derisa e konsideron shumë të rëndësishme arritjen e një emëruesi të përbashkët për ruajtjen e qetësisë.
Ai foli për rëndësinë e një kompromisi, i cili do të siguronte që “shteti të mos heqë dorë nga territori apo populli i tij”, duke theksuar se duhet pritur “mundësi më të favorshme në botë që e vërteta të dalë në dritë”.
Ndër të tjera, ai tha se politikanët janë një gjë e ndryshueshme, ndërsa Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, Kisha Ortodokse Serbe dhe Shteti i Serbisë, siç tha ai, janë mbi të gjitha.
Burimi: GAZETA.MK