TV21 hyri në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup për të parë gjendjen dhe kushtet ku trajtohen pacientët e vegjël. Sapo futesh në Klinikën shtatëkatëshe, pengesa e parë janë ashensorët, pasi dy prej tyre janë jashtë funksionit e dy prej tyre me defekte, që herë pas here prishen.
Vazhduam në kuzhinën që gjendjen në bodrum. Nga pamjet duket se është e amortizuar, me tavan të shkatërruar, e me enë të vjetra mbi 30 vjet, ku përgatitet ushqimi e qumështi për fëmijët e hospitalizuar. Drejtori i këtij institucioni shëndetësor, Rexhep Memedi, na tha se gjendja është e keqe dhe premton rinovim të kësaj hapësire më së fundi deri në janar.
“Kjo është kuzhina, këtu gatuhet. Kjo tavolinë, ky inventar është 30 vjet i vjetër dhe është dashur të bëhet një pastrim shumë serioz nga personeli, që të arrihet një nivel mirëmbajtjeje, por është shumë e vështirë”, tha Rexhep Memedi.
Problem më serioz është tabela e siguresave, një sistem i vjetërsuar, që në rast të ndonjë mase elektrike, siguresat ka rrezik të mos reagojnë. Mirëpo kjo nuk është e gjitha! Edhe sistemi i shuarjes së zjarrit nuk punon tashmë shtatë vite.
“Ky është hidrofor që është montuar prej në fillim kur është ndërtuar klinika dhe siguron shtypje të lartë të ujit për hidrantët që kemi në çdo repart, ato janë hidrantë për shuarjen e zjarrit. Në rast zjarri kemi hidrant në çdo repart për të shuar zjarr, kjo është ajo pompa që ka siguruar shtypje të lartë, mirëpo ka 7-8 vite që kjo pompë është jashtë përdorimit, është larguar edhe nga sistemi i montimit të gypave”, tha Memedi.
Deri në fund të vitit Memedi parasheh të fillojnë punimet për montimin e pompave të reja dhe rinovim të tërësishëm të stacionit.
Bodrumi dhe ballkonet e klinikës ishin rrëmujë. Aty gjendeshin gjësendet e vjetra, goma të veturave, karrige e shumëçka tjetër që është dashur të hidhen, por procedura nuk ka vazhduar.
“Një pjesë e madhe e hapësirave këtu, edhe e bodrumit edhe e ballkoneve janë të mbushura me materiale të vjetra, inventar i vjetër, që është dashur çdo vit të pastrohet, por për t’u pastruar materialet duhet të ndiqet procedurë ligjore”, deklaroi ai.
U.d. drejtori i Klinikës, Rexhep Memedi, tha se shumë shpejtë do të fillojë procedura e tenderimit që një kompani e specializuar të merret me pastrimin e saj. Ai në këtë emision “DailyClick” foli edhe për akuzat për vdekshmëri të lartë në Klinikën për Fëmijë, për të cilën tha se po bëhen me tendencë dhe kanë për qëllim shtrembërimin e realitetit. Përndryshe në Klinikën për sëmundje të fëmijëve në vit realizohen rreth 60 mijë vizita nga mbarë vendi.
Burimi: TV21