“Kushdo që e pranon Asociacionin me kompetenca të gjëra, do të futet në histori si Rrahman Morina”

November 4, 2024
min lexim

Bashkimi Evropian ka reaguar përsëri pasi Qeveria e Kosovës së fundmi ka refuzuar ta themelojë Asociacionin mbi një draft Evropian duke e quajtur e quajtur një dokument pa nënshkrim.

Zëdhënësi i BE-se, Peter Stano, tha se Asociacioni është obligim për Kosovën.

“BE-ja dëshiron të kujtojë se themelimi i ASM-së është obligim i paplotësuar i Kosovës që rrjedh nga Marrëveshja e Dialogut e vitit 2013, e vetmja Marrëveshje e Dialogut e ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës me shumicë prej dy të tretash. Prandaj është obligim i qartë ligjor për Kosovën sipas ligjit ndërkombëtar. Fatkeqësisht, Kosova që nga viti 2013 nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt themelimit të saj dhe rrjedhimisht drejt mbrojtjes së shtuar të të drejtave të njerëzve që u përkasin komuniteteve joshumicë”, tha ai.

Në lidhje me këtë çështje, ka folur ish-deputeti i Kosovës, dhe analisti politik Driton Tali.

Ai thotë se nuk beson se do të formohet Asociacioni pas zgjedhjeve, pa marrë parasysh se kush do të formijë qeverinë e radhës dhe do të jetë kryeministër.

“Dhe jo për teket e mia (për faktin se unë jam me tërë qenien time kundër) por për faktin se “kjo Serbi” ende është “ajo Serbia hexhemone e shekullit 19 dhe 20”.  Dhe derisa Serbia të jetë e tillë e sëmurë i tërë Ballkani do të vazhdojë të kollitet”, thotë Tali.

Andaj, ai shton se, kushdo që do të zgjedhet kryeministër i radhës, i Kosovës, e ka të pamundur me gjetë “modus operandi”, ngase Serbia do të insistojë në kompetenca sa më të mëdha për Asociacionin e Qeveria e Kosovës në kompetenca sa më të pakta, mundësisht duke e respektuar në plotni Kushtetutën tonë.

“Përndryshe, ai/ajo që do të pranojë (edhepse e ka të pamundur sepse qytetarët do ta kundërshtojnë) Asociacionin me kompetenca të gjëra do të futet në histori si Rrahman Morina. Shih për këtë, këto qasjet e dy palëve, që janë diametralisht të kundërta, ku pra Serbia tenton gjithsesi ta zhbëjë Republikën e Kosovës kurse ne ta zhvillojmë sa më shumë, e bënë të pamundur gjetjen e kompromisit. Thënë ndryshe, strategjinë e Serbisë “autonomi brenda autonomisë” që nënkupton “autonomi për Kosovën e brenda asaj autonomie një autonomi ndaras për komunitetin serb” – që është pra formulë  hexhemone raciste e pastër – unë e shoh si pengesë thelbsore për stabilizim të Ballkanit Perëndimor, pa i llogaritur kusuret që i ka Serbie në Bosnje apo Mal të Zi”, thotë ai.

Tali shton se, thënia “Asociacionin për normalizim” për të është idiotizmi më i madh politik që na bie jo rallë ta ndëgjojmë, qoftë në form të prerë qoftë me aludime.

“Si nga disa politikanë hajvanë, por edhe nga disa analistë e gazetarë bashibuzuka. Termi normalizim është futile, është i pakuptimtë!? Çka është normalizimi në apsektin politik dhe kush mundet ta definojë?! Për mos ta shkruar pyetjen: se kur ne historikisht patëm marrëdhënie normale me Serbinë”?! Dhe, për më tepër, kur Kosova i ç’normalizoi ato marrëdhënie?!!! Me 1877-78; me 1912-1914; me 1918-1941; me 1944-1974; me 1974-1989 apo 1989-1999!? I thashë këto duke i patur parasysh edhe presionet politike që mund t’i kemi nga miqët tanë ndërkombëtarë, qoftë UE’ja qoftë ShBA’ja së bashku miqët tjerë. Dhe natyrisht, e kam parasysh se kemi marrë marrë obligim politik ndërkombëtar me 2013 gjegjësisht me 2015, për krijimin e Asociacionit, dhe e kam parasysh edhe gjeopolitikën, pra presionët që mund të na i bëjnë miqët tanë për të evituar ndonjë trazirë të orkesturar nga Beogradi nën preteksin e “obligimeve ndërkombëtare”, por unë nuk besoj që miqët tanë do të bëjnë diçka që në esencë do ta zhbënte Republikën tonë siç do të ishte bie fjala Asociacioni me kompetenca ekzekutive”, pohon ai.

Andaj, Tali shton se, varësisht nga gjeopolitika herë pas here mbase do të kemi edhe mospajtime por ato do të jenë në kufirin e mospajtimeve në mes miqëve.

“Alternativa është dehexhemonizmi i Serbisë. Nëse ajo ndodhë atëherë natyrisht se politika në Ballkanin Perendimor do të ndryshojë. Por problem ështe se akoma fillimi i dehexhemonizmit të Serbisë nuk po shifet në horizont”, përfundon Driton Tali.

Ndryshe, Stano ka rikujtuar se sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, Statuti për themelimin e ASM-së duhet të hartohet dhe të diskutohet në Dialog. Kjo, sipas tij, do të thotë se çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e 2013 dhe 2015.

“Në tetor 2023, në përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit, BE-ja – e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj si SHBA-ja – prezantoi një projekt-statut evropian për krijimin e ASM-së bazuar në modelet dhe praktikat më të mira evropiane, gjithashtu. si kornizë ligjore e Kosovës, të cilën të dyja palët e kanë pranuar në parim. Në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023, Këshilli Evropian përshëndeti “gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve nga Lehtësuesi i BE-së”. Ky është një njohje formale e dokumentit nga të 27 Shtetet Anëtare të BE-së”, tha Stano.

BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Draft Statutin e BE-së pa vonesa të mëtejshme.

“BE-ja dëshiron gjithashtu të rikujtojë se Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme në tërësinë e saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Serbia pritet të përmbushë obligimet e saj që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, paralelisht me Kosovën që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit bazuar në Draft Statutin Evropian, në përputhje me planin e zbatimit të propozuar nga Lehtësuesi i BE-së”, tha Stano.

Kurse, zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, ka thënë se draft-statuti evropian është një dokument pa nënshkrim si shumë propozime të tjera.

“Rikujtojmë se draft statuti i BE-së nuk e ka nënshkrimin as të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell e as të emisarit të tij, Lajçak, aq më pak të Kryeministri Kurti. Statusi i draft statutit është ai i një non-paper, njëri ndër disa propozimet që janë bërë në vitet e kaluara”, tha Kryeziu

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

“Monopol në lojërat e fatit”, Bexheti akuzon Mexhitin se po bëhet avokat i kompanisë serbo-bullgare

Story i radhës

​Haradinaj premton zhvillimin e turizmit malor në Kosovë

Të fundit nga

ShkoLartë