Shqipëria do të luftojë dezinformimin, duke bërë edhe ndryshime ligjore përmes të cilave do të mbyllen mediat tradicionale si: televizionet dhe radiot, apo edhe portalet dhe llogaritë në rrjetet sociale të kompanive apo individëve të cilët manipulojnë publikun.
Komisioni i Posaçëm duhet të propozojë ndryshime ligjore për të forcuar rregullat e funksionimit të mediave, duke lejuar deri në mbylljen e këtyre llogarive shpifëse apo manipuluese.
Lidhur me këtë është diskutuar në emisionin “Real Story”, ku gazetarja Aida Topalli ka deklaruar se këto portale dezinformuesee kanë lidhje me Rusinë, Iranin, Kinën dhe Turqinë.
“Edhe në objektin që ka ky komision duket qartë që ka të bëjë me këto shtete me Rusinë, që kemi të bëjmë me sponsorizimin e fushatave, me Iranin që ka të bëjë me ndërhyrjen në sistemin mbrojtës që ka të bëjë me qeverinë shqiptare, edhe me Turqinë dhe Kinën, që ka të bëjë me atë që njihet ndryshe si udha e mëndafshit”, tha ajo.
Ndërsa, gazetari Ardit Rada ka deklaruar se për interesat ruse në Shqipëri punon më tepër shërbimi iranian. Sakaq, ai ka theksuar se këto shërbime, e përdorin median shqiptare për t’i cituar në vendet e tyre.
“Ka një dallim si në rastin e Kinës, ata janë aty për të promovuar kulturën e tyre, në rastin e Iranit bëhet fjalë për të nxitur konflikte të mëtejshme. Amerikanët kanë shqetësuese Kinën, sepse kanë ato interesat tregtare që ne i dinim. Në rastin e Rusisë është interesante se për interesat ruse në Shqipëri punon sistemi iranian dhe këtë unë nuk them si hipotezë, por jam përballur me lajme të tilla që si burim kanë pasur Iranin dhe që kërkonin të nxisnin konflikte të mëtejshme mes vendeve të Ballkanit dhe Ukrainës.
Këto shërbime, Shqipërinë nuk e përdorin për të publikuar lajme që e dëmtojnë Shqipërinë, por e përdorin median shqiptare për t’i cituar në vendet e tyre”, tha ai.