Prek Kodra është personi që ‘preku’ opinionin publik në Kosovë sot, pas raportimeve tashmë të konfirmuara për një plan për vrasjen e kryeministrit Albin Kurti, deputetit Xhavit Haliti dhe një komandanti me emrin Ismet Haxha. Por, kush është Preku që planifikohej të vriste kryeministrin Albin Kurti?
Sipas dokumentit, roli i Prek Kodrës në serinë e atentateve që kishin për qëllim destabilizimin politik të Kosovës, ishte ai i atentatorit/vrasësit. Policia shqiptare e përshkruante Prekun (që në disa dokumente quhet Prekë) si person që dinte se si të përdorte edhe armën e zjarrit snajper.
Paraprakisht mësohej që planifikohej të vritej Ismet Haxha, dhe më pas Xhavit Haliti. Një muaj pas vrasjes së deputetit të PDK-së, do të vritej edhe Albin Kurti për t’u dukur si akt hakmarrjeje.
Nacionales i kanë ardhë shumë informacione për personin që thuhej se duhej të realizonte planin në fjalë me armë në dorë. Shumë prej këtyre informacioneve janë të paverifikuara.
Një informacion i verifikuar megjithatë për z. Prek Kodra, është se ai ishte arrestuar në verën e vitit 2011 pasi kishte penguar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Shalë të Shkodrës. Ai raportohej se ishte simpatizant i njërës prej dy partive të mëdha të Shqipërisë (Partia Socialiste-Partia Demokrate).
46 vjeçari del se është nga fshati Shtoj i Ri në Shkodër. Ai ishte dyshuar edhe për lidhje të forta me mafian e Malit të Zi, me nipin e tij që pretendohet të jetë zënë me substanca narkotike dhe të ketë pasur probleme ligjore me këtë vend.
“Ka lidhje të forta me malazez. Këta (grupi i Kodrës) bëjnë krime dhe i mblulojnë se kanë lidhje me shtetin.” – i tha një burim që donte të mbetej anonim për shkaqe sigurie.
Nipi i z. Kodra raportohet të jetë Pëllumb Guri, i cili madje edhe kishte shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë malazez kur ishte penguar në aktivitetet e tij që kishin të bënin me transportimin e 88 kilogramëve lëndë narkotike kanabis sativa.
Policia e Shtetit shqiptar kishte qenë në banesën e z. Kodra, ku kishin gjetur një numër të madh armësh por jo edhe personin në fjalë. Ai i kishte dy fëmijë të mitur në momentin e bastisjes nga forcat e rendit.
Kujtojmë se Zyra e Kryeministrit ka konfirmuar se kryeministri Kurti ishte në dijeni për këtë informacion.
“Rasti nuk është bërë publik që të mos përhapet panik”, tha ZKM-ja./Nacionale/