Kush është Mafred Weber, njeriu i fuqishëm i BE-së?

November 28, 2024
min lexim

Manfred Weber pa shumë zhurmë është shndërruar në një nga njerëzit më të fuqishëm në skenën politike evropiane.

Pavarësisht se nuk është i njohur shumë nga publiku, politikani gjerman ka një kohë të gjatë që udhëheq subjektin e qendrës së djathtë, Partia Popullore Evropiane (PPE), që është grupi më i madh politik në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, ai nuk është aq i panjohur në korridoret e Parlamentit Evropian, ku edhe rivalët që e akuzojnë atë se flirton me ekstremin e djathtë, e pranojnë se ai është “një person me ndikim të madh sa u përket vendimeve”.

Kjo pritet pasi “kam shansin të jem sot” presidenti i partisë më të madhe në Evropë, tha Weberr në një intervistë për AFP.

Ai e shënoi fitoren e fundit të mërkurën e 27 nëntorit, teksa ligjvënësit miratuan Komisionin e ri Evropian të udhëhequr nga Ursula von der Leyen, e cila mori mandatin e dytë në krye të këtij institucioni.

Javë të tëra të kompromiseve politike rezultuan me 27 komisionarët – shumica nga PPE-ja – të kalojnë pa problem në seancat për konfirmimin e tyre.

Kjo u bë pavarësisht kundërshtimit të madh nga e majta dhe qendra për Raffaele Fitton, e partisë së ekstremit të djathtë, Vëllezërit e Italisë – partia e kryeministres italiane, Giorgia Meloni – të cilit iu besua posti i zëvendëspresidentit të KE-së.

“Për mua kjo është një ditë e mirë”, u tha Weber gazetarëve para votimit në Strasburg.

Fitto argumentoi se ai përfaqëson një krah më të moderuar të së djathtës, e cila kërkon më shumë ballafaqim sesa shmangie.

“Dua që t’i ndaj ata, dua të bëj ndarjen ndërmjet ekstremit të vërtetë të djathtë” gjerman të Alternativës për Gjermaninë (AfD), “konservatorëve të vërtetë” të Marine Le Pen të Francës dhe Viktor Orbanit të Hungarisë, tha ai për AFP-në.

Futja e Melonit dhe AfD-së “në të njëjtin thes, është gabim i madh”, tha ai.

Kjo qasje nuk ka bërë që ai të krijojë shumë miq në mesin e së majtës dhe qendrës, pasi ligjvënësit e kanë akuzuar atë se qëllimshëm përdor gjuhë me dy kuptime ndaj ekstremit të djathtë për përfitime politike.

“Manfred Weber po argëtohet shumë”, tha Manon Aubry nga Franca, bashkëudhëheqëse e të ashtuquajturit Grupi i së Majtës në Parlamentin Evropian, e cila tha se kolegu i saj gjerman po kërkon aleanca nga e majta në të djathtë, varësisht se çfarë interesi ka në ditë të caktuara.

Një ligjvënës në BE që nga viti 2004 dhe udhëheqës i PPE-së që nga viti 2014, Weber për një kohë të gjatë ka punuar për të pasur nivelin e ndikimit që ka tani.

Më 2019, ai tentoi të bëhej president i KE-së, por humbi kundrejt Von der Leyen. Për këtë humbje, disa besojnë se ai ende ka hatërmbetje.

“Ti nuk ulesh këtu… prandaj je i zemëruar”, e talli Orbani atë gjatë një sesioni plenar të mbajtur gjatë këtij viti, duke bërë me gisht drejt karriges së Leyenit.

Por, Weber insiston se kjo humbje i përket së shkuarës.

“Viti 2019 është shumë kohë më parë”, tha Weber, i cili asnjëherë nuk ka mbajtur ndonjë post ministror në Gjermani, por është shprehur se është i lumtur ku është sot.

“Vendimet më të rëndësishme në Evropë sot nuk merren më në kryeqendrat evropiane, por në Bruksel dhe Strasburg”, tha ai.

PPE-ja ka konfirmuar statusin e tij si grupi më i fuqishëm parlamentar pas zgjedhjeve evropiane në qershor, duke fituar 188 nga 720 ulëset – disa ulëse më pak se më 2019.

Por, ndikimi i tij është rritur teksa ekstremi i djathtë dhe e majta kanë humbur, që i kanë lejuar atij të luajë në këta dy krahë politikë.

Inxhinier me profesion, që e paraqet veten si mbrojtës të fermerëve dhe kundërshtar të burokracisë, Weber e rizgjodhi Von der Leyenin në korrik, me mbështetjen e Socialistëve dhe Demokratës, dhe grupit të qendrës, Rilindja.

Por, që atëherë ai është lidhur me grupet e ekstremit të djathtë për të frenuar, mes tjerash, disa politika ambicioze mjedisore të BE-së.

“Ai është personi që ka ndikim në marrjen e vendimeve, është ai që e thotë fjalën e fundit”, tha Marie Toussaint nga të Gjelbrit.

Përbërja e re e plotë e Komisionit u zgjodh edhe me votat nga e majta, qendra dhe e djathta, përfshirë edhe votat e grupit të Melonit.

Weber ishte personi i parë që e përqafoi Von der Leyenin pas votimit.

Manfred Weber duke i dhuruar lule presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Weber shpesh preferon që t’i informojë gazetarët përmes takimeve joformale dhe nuk preferon që ata të citojnë deklaratat e tij.

Weber është proevropian, proukrainas dhe e përkrahë sundimin e ligjit. Ai shpesh shihet si “pak liberal” në Bavari, rajonin prej nga vjen, sipas homologut të tij gjerman, Daniel Freund.

“Këtu në Bruksel, ai bën pak të kundërtën e gjithë kësaj”, duke u afruar me ekstremin e djathtë, tha Freund.

Megjithatë, Weber shpërfill kritikat.

Një i krishterë i devotshëm, ai tha se gjen qetësi te feja dhe te bota jashtë institucioneve të BE-së.

“Shkuarja të dielave në kishë, bisedat me miqtë e mi që janë fermerë, që janë zejtarë, që janë njerëz normalë, janë shumë të rëndësishme sepse Brukseli nganjëherë është shumë si një ‘flluskë’”, tha ai./REL

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Skuadra gjermane ankohet në UEFA për Beogradin dhe serbët: Kjo është e papranueshme

Story i radhës

​Cilën festë e duan më shumë qytetarët, 28 Nëntorin apo 17 Shkurtin?

Të fundit nga

ShkoLartë