Abu Mohammed al-Golani, udhëheqësi militant, kryengritja e të cilit rrëzoi nga pushteti presidentin e Sirisë Bashar Assad, ka vite që punon për të transformuar imazhin e tij publik, duke u distancuar nga lidhjet e kahershme me al-Kaedën dhe duke e paraqitur veten si një kampion të pluralizmit dhe tolerancës.
Pasi hyri në Damask pas luftëtarëve të tij fitimtarë të dielën, ai madje nuk përdori emrin e tij të luftës dhe iu referua vetes me emrin e tij të vërtetë, Ahmad al-Sharaa.
Tani do të shihet se deri ku shkon transformimi i tij nga ekstremist xhihadist në një rol të mundshëm shtetformues. Pyetja tani është se si do të qeveriset Siria, e përbërë nga shumë komunitete etnike dhe fetare, shpesh të nxitura kundër njëra-tjetrës nga shteti i al-Assadit dhe vitet e luftës. Shumë prej tyre i druhen perspektivës së marrjes së pushtetit nga ekstremistët islamikë suni.
Disa orë pas marrjes së kontrollit të Damaskut, 42-vjeçari al-Sharaa bëri paraqitjen e tij të parë në xhaminë historike Umajad të qytetit, duke e cilësuar rënien e Al-Assadit si “një fitore për kombin islamik”. Al-Sharaa, i cili konsiderohet si terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe forca e tij kryengritëse, Hayat Tahrir al-Sham, ose HTS – shumë prej luftëtarëve të së cilës janë xhihadistë – tani janë një lojtar kryesor.
Për vite të tëra, al-Sharaa punoi për të konsoliduar pushtet, i izoluar në provincën e Idlibit në pjesën veriperëndimore të Sirisë, ndërsa sundimi i al-Assadit i mbështetur nga Irani dhe Rusia në pjesën më të madhe të vendit, dukej i fortë. Ai eliminoi konkurrentët dhe ish-aleatët e organizatave ekstremiste. Ai u përpoq të zbuste imazhin e “qeverisjes së tij de-fakto të shpëtimit” në Idlib për të bërë për vete qeveritë ndërkombëtare dhe për të qetësuar pakicat fetare dhe etnike të Sirisë.
Gjatë gjithë këtij procesi, ai hoqi dorë nga petku i një militanti islamik të linjës së ashpër dhe filloi të vishte kostume në intervista, duke folur për ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe decentralizimin e pushtetit në mënyrë të tillë që të refketonte diversitetin e Sirisë.
“Siria meriton një sistem qeverisës që është institucional dhe jo ku një sundimtar i vetëm merr vendime arbitrare,” tha ai në një intervistë me CNN-in javën e kaluar, duke lënë të hapur edhe mundësinë që grupi i tij Hayat Tahrir al-Sham (HTS) të shpërbëhet pas rënies së Asadit. “Mos gjykoni nga fjalët, por nga veprimet”, tha ai.
Fillimet e Al-Golanit në Irak
Në radhët e grupeve ekstremiste, Al-Sharaa njihej vetëm me pseudonimin xhihadist që adoptoi, Abu Mohammed al-Golani. Lidhjet e tij me Al-Kaedën e kanë origjinën në vitin 2003, kur ai iu bashkua kryengritësve që luftonin me trupat amerikane në Irak. Ai u arrestua nga ushtria amerikane, por mbeti në Irak. Gjatë asaj kohe, al-Kaida me grupe të tjera të ngjashme formoi Shtetin Islamik ekstremist të Irakut, të udhëhequr nga Abu Bakr al-Baghdadi.
Në vitin 2011, një kryengritje popullore në Siri kundër al-Assadit u shtyp brutalisht nga qeveria, gjë që shkaktoi një luftë të gjerë. Rëndësia e Al-Golanit u rrit kur al-Baghdadi e dërgoi në Siri për të krijuar një degë të al-Kaidës të quajtur Fronti Nusra. Shtetet e Bashkuara e cilësuan grupin e ri një organizatë terroriste. Ky emërtim vazhdon të jetë në efekt dhe qeveria amerikane ka vendosur një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për të.
Fronti Nusra dhe konflikti sirian
Paralelisht me intensifikimin e luftës civile në Siri në vitin 2013, u rritën edhe ambiciet e al-Golanit. Ai sfidoi thirrjet e al-Baghdadit për të shpërbërë Frontin Nusra dhe për ta shkrirë atë me operacionin e al-Kaidës në Irak për të formuar Shtetin Islamik të Irakut dhe Sirisë, ose ISIS.
Megjithatë, Al-Golani u zotua për besnikëri ndaj al-Kaidës, e cila më vonë u shkëput nga ISIS. Fronti Nusra luftoi ISIS-in dhe eliminoi një pjesë të madhe të konkurrencës në mesin e opozitës së armatosur siriane të al-Assadit.
Në intervistën e tij të parë në vitin 2014, al-Golani u shfaq me fytyrë të mbuluar, duke i thënë një gazetari të Al-Jazeera-s se ishte kundër bisedimeve politike në Gjenevë për t’i dhënë fund konfliktit. Ai tha se synimi i tij ishte që Siria të qeverisej sipas ligjit islamik dhe bëri të qartë se nuk kishte vend për pakicat alavite, shiite, druze dhe të krishterë të vendit.
Konsolidimi pushteti dhe ndryshim imazhi
Në vitin 2016, al-Golani zbuloi fytyrën e tij për publikun për herë të parë në një video-mesazh që njoftonte se grupi i tij po riemërtohej Jabhat Fateh al-Sham – Fronti i Fitores i Sirisë – dhe do të ndërpriste lidhjet me Al-Kaedën.
“Kjo organizatë e re nuk ka lidhje me asnjë entitet të jashtëm,” tha ai në video, ku shfaqet me veshje ushtarake dhe një çallmë.
Lëvizja i hapi rrugën al-Golanit që të vendoste kontrollin e plotë mbi grupet militante të përçara. Një vit më vonë, aleanca e tij u riemërua përsëri, si Hayat Tahrir al-Sham — që do të thotë Organizata për Çlirimin e Sirisë — ndërsa grupet u bashkuan, duke konsoliduar pushtetin e al-Golanit në provincën Idlib të Sirisë veriperëndimore.
HTS më vonë u përplas me militantë të pavarur islamikë të cilët kundërshtuan bashkimin, gjë që i forcoi më tej pozitat e al-Golanit dhe grupit të tij, si forcë kryesore në Sirinë veriperëndimore, e aftë për të sunduar me një dorë të hekurt.
Me pushtet të konsoliduar, al-Golani vuri në lëvizje një transformim që pak mund ta imagjinonin. Duke zëvendësuar veshjen e tij ushtarake me këmishë dhe pantallona, ai filloi të bënte thirrje për tolerancë fetare dhe pluralizëm. Ai bëri përpjekje për të bërë për vete komunitetin Druze në Idlib, të cilin Fronti Nusra e kishte vënë më parë në shënjestër më parë, dhe vizitoi familjet e kurdëve që u vranë nga milicitë e mbështetura nga Turqia.
Në vitin 2021, ai pati intervistën e tij të parë me një gazetar amerikan në televizionin PBS. I veshur me një xhaketë sportive, me flokë të shkurtër, udhëheqësi tashmë i transformuar i HTS-së tha se grupi i tij nuk përbënte kërcënim për Perëndimin dhe se sanksionet e vendosura kundër tij ishin të padrejta.
“Po, ne kemi kritikuar politikat perëndimore,” tha ai. “Por nuk është e vërtetë që ne i shpallëm luftë nga Siria Shteteve të Bashkuara ose Evropës nga Siria. Ne nuk kemi thënë se donim luftë.”
Burimi: botasot.info