Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi komentoi këtë të martë lirimin e ish-deputetit Alqi Bllaku nga qelia.
E ftuar në emisionin “Open” në News 24 Kryemadhi zbuloi se personi i cili ka ndikuar për ndryshimin e masës së sigurisë së ish-deputetit nga “Arrest me burg” në “Arrest në shtëpi”, është personi i cili e solli nga Kosova kur ndodhi arrestimi i tij.
Edhe pse pati një insistim nga ana e moderatores Eni Vasili për të zbuluar emrin e personit, Kryemadhi deklaroi se denoncimet do të bëhen me radhë dhe jo të gjitha menjëherë.
Ajo shtoi se në kuadër të një standardi barazie, Lefter Koka, ka të drejtë që kërkon të lërë qelinë dhe që kërcënon se do flas kur sheh që Alqi Bllako është në shtëpi.
Pjesë nga biseda në studio:
Monika Kryemadhi: Ju thatë me të drejtë se zoti Koka kërcënonte përmes avokatit se do flas dhe ka të drejtë ai. Sepse në barazi, thotë kur del ky tjetri në “Arrest Shtëpie”, unë e di shumë mirë kush e mbron këtë tjetrin.
Eni Vasili: Kush e mbron atë?
Monika Kryemadhi: E di ai vetë dhe lidhjet e tij!
Vasili: Mirë ai, e di po ta dimë ne?
Kryemadhi: Jo s’kagjë, ato janë hap pas hapi.
Vasili: Një sekond tani, opozita kur vjen të denoncojë në media, që të jeni të besueshëm duhet t’i thoni gjërat.
Kryemadhi: Jo ç’do gjë denoncohet në media menjëherë. Duhet t’i bësh radhë më radhë, se dhe me evazionin fiskal unë e kam denoncuar në dhjetor por kur unë nxora pleqtë që kishin marrë miliona euro u bë nami.
Vasili: Kush e mbron Alqi Bllakon duhet ta thoni?
Kryemadhi: Ai që e solli nga Kosova.