Kush do të ulet në karrigen e kreut të shtetit?! Telenovela me president Republike!

min lexim

Realisht, procesi i psonisjes dhe emërimit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është shndërruar në një ngjarje me regji telenovelash, ku qarkullohen emra të rinj e të vjetër, të harruar dhe të ditës, pavarësisht se në kulisa, procesi mund të jetë mbyllur me kohë dhe presidenti faktikisht është emëruar…

31 mars 1991! Në vend zhvilloheshin zgjedhjet e para pluraliste, ku Partia e Punës së Shqipërisë, që kish mbajtur pushtetin me dhunë për pothuaj 50 vjet, vihej në garë me parti opozitare të krijuara pas protestave të studentëve në dhjetor të vitit 1990.

Ishte dita kur pasuesi i diktatorit komunist, z. Ramiz Alia, humbiste garën për anëtar Kuvendi në lagjen nr. 8 në Tiranë, përballë inxhinierit z. Mark Krroqi, kandidat i opozitës. Humbja ishte e disafishtë: rrëzohej me votë popullore pasuesi i diktatorit; rrëzohej bindshëm nga vota e asaj lagjeje, që padrejtësisht ishte asociuar me shtëpinë ku u themelua Partia Komuniste; rrëzohej kreu i Partisë së Punës, kur kjo parti ishte ende në pushtet dhe “fitoi” zgjedhjet e 31 marsit 1991.

Triumfoi, në këtë mënyrë, fryma e kundërshtimit të diktaturës, pavarësisht zgjedhjeve të mbajtura nën hijen e diktaturës dhe të manipuluara. Mbi të gjitha, ky rrëzim në lagjen 8 të Tiranës nxori nga politika kreun e Këshillit Presidencial, një organ i krijuar jo në përputhje me Kushtetutën e asaj kohe si grahmë e fundit e ushtrimit të frikës e dhunës.

… Për të hyrë nga dritarja, me propozim të partisë në pushtet, tashmë si President i Parë i Republikës së Shqipërisë së pas diktaturës, mbi bazë të një dokumenti kalimtar siç ishin dispozitat kushtetuese që shpikën postin e presidentit dhe që për ironi, u përkrah edhe nga opozita e kohës.

Nën maskën e ndryshimit të Kushtetutës komuniste, kryetari Këshillit Presidencial u shndërrua në President të Republikës, ose i pari kre i shtetit të pas diktaturës. Kjo shpërfillje e frymës së elektoratit, siç duket, ishte oguri i keq për të gjithë historikun jo aq të lavdishëm të institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Pozicion, i cili është luhatur mes ushtrimit të tepruar, apo të munguar, deri në heshtje të kompetencave të presidentit; mes nxjerrjes së figurave pjesë pazaresh apo qokash politike, krijimin e raporteve konfliktuale të skajshme me pushtetet e tjera, mungesës së respektit institucional, përplasjeve në Gjykatën Kushtetuese e deri në rastin e parë në historinë 30-vjeçare të ndërmarrjes së nismave për shkarkimin e Presidentit.

Pozicion, i cili është shoqëruar edhe me rishikim të ndjeshëm të kompetencave ligjore dhe në ushtrimin faktik të tyre. Apo duke e dobësuar rëndësinë e figurës së presidentit, që kulmoi me marrëveshjet pozitë – opozitë në vitin 2008 për ndryshimin e Kushtetutës. Tashmë kryetari i partisë, që siguron shumicën e thjeshtë të votave, mund të zgjedhë këdo.

“Kush do të ulet në karrigen e presidentit?”

Këto ditë po luhet përsëri telenovela me titull: “Kush do të ulet në karrigen e presidentit?”. Realisht, procesi i psonisjes dhe emërimit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është shndërruar në një ngjarje me regji telenovelash, ku qarkullohen emra të rinj e të vjetër, të harruar dhe të ditës, pavarësisht se në kulisa, procesi mund të jetë mbyllur me kohë dhe presidenti faktikisht është emëruar.

Janë disa elemente të kësaj qasjeje, të cilët e zhvleftësojnë procesin, cenojnë thelbin e demokracisë dhe shtrojnë rrugën për një president jo garant të frymës së Kushtetutës nesër, apo përfaqësues të unitetit të popullit.

Po tentohet të krijohet përshtypja sikur përzgjedhja po bëhet demokratike, duke i dhënë të drejtën gjithkujt të propozojë emra. Një proces që më shumë është formatuar si në një procedurë tenderimi me tri emra-oferta.

Po tentohet të krijohet përshtypja sikur opozita, po ashtu, është një pjesëmarrëse e respektuar në proces, se dërgon disa kandidatura.

Po tentohet të krijohet përshtypja sikur janë përfshirë në proces, edhe palë interesi të rëndësishme për vendin e ekonominë, të cilat po propozojnë kandidaturat e tyre. Pra, nga aspekti i marketingut jemi korrekt, pasi përzgjedhja e presidentit po synohet të paraqitet si një proces përfaqësues.

Por, në realitet, ky proces nuk përngjan me proceset normale në një demokraci të konsoliduar, siç do të ishte zgjedhja me votë popullore, çështje e diskutuar shumë herë dhe që po aq herë sa është ndryshuar Kushtetuta, ka pasur mundësi të parashikohej si mekanizëm.

Ky proces, madje, nuk i përafrohet aq frymës së konsensusit të gjerë të përfaqësimit në Parlament, që është synimi i parë i Kushtetutës. Sa kohë që në proces hyhet me tensione politike, me opozitë të përçarë, me retorikë të ashpër dhe ofenduese, konsensusi dhe besimi reciprok është mbytur, duke e çuar procesin në hulli të njëanshme.

Edhe nëse do të ishim në kushtet që vendi të kish një opozitë jobashkëpunuese për zgjedhjen e presidentit e do të keqpërdorte kufirin e shumicës së cilësuar (84 vota), përsëri ekziston mundësia që me zgjedhjen me shumicë të thjeshtë (71 vota) procesi të ruante përfaqësimin e frymës apo interesit të shtetit.

Të gjithë e kujtojmë se si në fushatën zgjedhore të shkurtit 2021, në Kosovë, forca politike që doli fituese e tyre, shpalosi qartë përpara zgjedhësve programin, kryeministrin dhe presidentin e ardhshëm. Procesi në Kuvend përfundoi me zgjedhjen e presidentit në raundin e tretë me shumicën e thjeshtë, 71 vota, dhe me pjesëmarrjen e 82 kuvendarëve në votim.

Por tashmë, ky president e kish fituar konsensusin e pjesës më të madhe të zgjedhësve, prandaj mvishet me autoritetin real të funksioneve. Ndërsa kur është shpallur fillimi i procesit të votimit të presidentit, në Republikën e Shqipërisë, deri më datë 13 maj 2022, nuk ka ende të shpallur një kandidaturë zyrtare që do të hidhet në votim. Përvoja në Republikën e Kosovës është një tjetër rast që e bën të skuqet politikën vendimmarrëse në Shqipëri.

Në këtë rrugëtim të pas ’90-s, mund të themi se Republika e Shqipërisë u luhat me sukses të plotë nga pothuaj republika presidenciale në republikën kryeministrore. Pushtetet e tjera kanë pak rol, ose rëndësi. Prandaj, pavarësisht pamjes apo emrit, presidenti i ardhshëm do të jetë ai profil që nuk prish qejf e nuk bën zë.

Duke parë bilancin e 30 viteve “demokraci” dhe dështimin në krijimin në tërësi të institucioneve të pavarura garante të demokracisë së munguar, ky ishte shansi i radhës për rivendosjen e një ekuilibri kaq të nevojshëm në arkitekturën e shtetit tonë, pavarësisht rolit simbolik të institucionit të presidentit.

Jo vetëm kaq! Lufta në Ukrainë dhe ritheksimi i rëndësisë që kanë kapacitetet mbrojtëse dhe mobilizuese në mbrojtje të një shteti, duhet ta kishin bërë politikën shqiptare të reflektonte më thellë e më me maturi për procesin e zgjedhjes së presidentit dhe njëherësh Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Deri më sot, për fat të mirë, vendi nuk është përballuar me konflikte të natyrës së luftës dhe në tërësi partnerët tanë Perëndimorë kanë qenë në një periudhë paqeje e prosperiteti. Të gjithë presidentët shqiptarë janë zgjedhur e kanë ushtruar funksionet e tyre në të tilla rrethana.

Prandaj, rolin e Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura e kanë ushtruar nga kolltuku. Por konflikti në Ukrainë tregoi qartazi se paqja nuk është e përjetshme. Të mos harrojmë që Republika e Shqipërisë shtrihet në një rajon jo të qetë, në të cilin këto 30 vjet janë zhvilluar konflikte të përgjakura jo larg kufijve të saj. Prandaj, këtë herë nuk mund të jemi aq indiferentë ndaj situatës dhe funksioni për zgjedhjen e Presidentit duhet të ketë si variabël të rëndësishëm faktin që po zgjidhet edhe Komandati i Ushtrisë.

Anëtarësimi në NATO nuk është arsye e mjaftueshme për të vijuar me moskokëçarjen tradicionale ndaj kërcënimit të integritetit territorial apo shtetëror prej palësh të jashtme armike.

Lufta në Ukrainë tregoi që koncepi i armikut nuk është zhvlerësuar, siç ka propaganduar në vijimësi pothuaj i gjithë spektri politik shqiptar. Kësaj here, si anëtarë të NATO-s e me luftën në prag të kufijve të kësaj Aleance, kur Shqipërisë i ra dhe rasti që në Këshillin e Sigurimit në OKB të jetë bashkëhartuesja apo bashkëpendëmbajtësja e qëndrimeve ndërkombëtare për aktin e pushtimit rus ndaj Ukrainës, është më shumë sesa papërgjegjshmëri që procesi i zgjedhjes së presidentit nuk po kryhet me seriozitetin e duhur.

Tashmë u bë e qartë se në rast shpalljeje të ndonjë lufte ndërmjet ndonjë vendi të NATO-s dhe një pale të tretë, e gjithë Aleanca është në luftë, e automatikisht edhe Shqipëria. Urojmë e mos e dhëntë Zoti të bëhemi dëshmitarë të një situate të tillë. Por sigurisht nuk do të dëshironim që këtë lloj rasti, personi i ulur në karrigen e presidentit, përmes mekanizmash që po shohim aktualisht, të na bëjë qesharakë në momentet më dramatike.

Por, duket politika shqiptare ende nuk e ka mësuar konceptin e shtetit dhe kreut të tij. Me sa duket do të na duhet të presim vitin 2027 për të kuptuar nëse procesi i zgjedhjes së presidentit do i kthehet seriozitetit. Për këtë herë presidenti do të jetë rrogëtari i radhës!

Image

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Lufta në Ukrainë/ Zelensky e përshkruan Rusinë si ‘të çmendur’

Story i radhës

​Komunat serbe nuk e kërkojnë tatimin mbi pronë

Të fundit nga

Në Majën e Malësorit

Këtë të diele me 17 nëntor, “Hikingnjeri” organizon ecjen e përvjetshme në Majën e Malësorit 2424