Kurti: Zgjedhjet në veri të vendit pas çtensionimit të plotë të situatës

July 26, 2023
min lexim

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të mërkurën se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit nuk mund të mbahen pa u shtensionuar plotësisht situata ndonëse theksoi se institucionet po përgatiten për mbajtjen e tyre.

Ai i bëri këto komente në një konference me gazetarë pas mbledhjes së qeverisë ku theksoi se nuk mund të mohohet që një lloj shtensionimi në veri tashmë ka ndodhur.

“Unë nuk besoj që ndokush pret që pa u bërë deeskalimi i plotë të kemi zgjedhje në veri, por natyrisht që ne e vazhdojmë punën edhe më tutje, ne jemi duke u përgatitur që të ketë zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Tensionet në veri u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët.

Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuara të serbëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e parë të uljes së tensioneve, duke zvogëluar praninë e njësive të policisë me 25 për qind në ndërtesat komunale në veri, duke u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Kryeministri Kurti tha se shqetësim mbetet mundësia e përshkallëzimit të sigurisë për shkak të veprimeve të Beogradit.

“Ajo çfarë na brengosë neve tash, më shumë sesa deeskalimi, është potenciali i rieskalimit. Veçse rieskalimi nuk varet prej neve. Ju e keni garant qeverinë e Republikës së Kosovës, organet tona shtetërore, mua si kryeministër që me asgjë, ama bash asgjë, asnjëherë, askund nuk kontribuojmë për eskalim. Nëse do të ketë ndonjë të tillë, atëherë adresa, siç dihet, është Beogradi zyrtar”, tha kryeministri Kurti.

Ai dënoi siç tha, fushatën kërcënuese ndaj policëve të rinj serbë të angazhuar në veri të Kosovës. Autoritetet thanë se në fillim të kësaj jave kanë filluar punën 46 pjesëtarë të rinj të policisë nga radhët e komunitetit serb. Emrat e disa prej tyre janë përmendur në rrjetet sociale në gjuhën serbe dhe janë sulmuar për përfshirje në radhët e policisë së Kosovës, prej nga në nëntor të vitit të kaluar janë larguar disa qindra policë serbë.

“Faktori ndërkombëtar duhet të dënojë zëshëm çfarëdo fushate të organizuar linçimi i kërcënimi ndaj policëve nga komuniteti joshumicë. Në të njëjtën kohë duhet të jetë i zëshëm ndaj trysnive të vazhdueshme të Beogradit mbi komunitetin serb që synim kanë parandalimin e integrimit të plotë të tyre në jetën institucionale të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Edhe

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Johnn Rohde shkroi në rrjetet sociale se “kjo fushatë frikësimi është absolutisht shqetësuese. Duhet të ndalet menjëherë. Policët e rinj nga komunitetet boshnjake, rome, serbe dhe turke të Kosovës meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të vendosur”, shkroi ai.

Qeveria e Kosovës është kritikuar nga diplomacia perëndimore dhe është vënë në masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri të filluara dy muaj më parë.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Tomas Szunyog, tha sot gjatë një takimi me Komisionin për Punë të Jashtme në parlamentin e Kosovës se masat ndëshkuese ende mbeten në fuqi.

“Deklarata e 3 qershorit është shumë e qartë, janë disa kushte të caktuara dhe kërkesa dhe po ashtu edhe në deklaratë theksohet se do të ketë masa ndëshkuese nëse ato kushte dhe kërkesa nuk zbatohen. Pra ne ende qëndrojmë te deklarata e tre qershorit”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti tha sot se pret që masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian kundruall Kosovës të hiqen sa më parë dhe është e logjikshme që kjo do të ndodhë para zgjedhjeve në veri.

diplomatët perëndimroë në Prishtinë dënuan kërcënimet ndaj pjesëtarëve të rinj të policisë së Kosovës.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, duke shpërndarë sot një postim të shefit të EULEX-it lidhur me kërcënimet e policëve serbë, tha se “kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë larminë e Kosovës”, shkroi ambasadori Hovenier.

 

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Kush është kolumbiania që protestoi nudo para Prokurorisë së Tiranës, detaje nga dëshmia në polici

Story i radhës

Krasniqi: Kosova s’ka qenë asnjëherë më keq ndërkombëtarisht që nga viti 1989

Të fundit nga

ShkoLartë