Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim drejtoren e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), Nancy Soderberg.
“Në këtë takim u fol për rëndësinë e progresit demokratik, që përveç që është punë e përpjekje e vazhdueshme e Institutit Demokratik Kombëtar, është edhe në prioritetet e Qeverisë së Kosovës sa edhe në rezultatet e saj”, thuhet në komunikatën e qeverisë së Kosovës.
Kryeministri vlerësoi rolin e NDI në demokratizimin e partive politike, forcimin e shoqërisë civile, avancimin e transparencës dhe llogaridhënies institucionale.
Ai e falënderoi Soderberg për angazhimin e saj në krye të këtij instituti dhe për bashkëpunimin e deritanishëm.
Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.