Kryeministri Albin Kurti e ka pritur në zyrë komandantin e KFROR-it, gjeneral Major Ferenc Kajári. Në takim ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe aty, sipas Zyrës së Kryeministrit, Kajari e ka lavdëruar Policinë e Kosovës për sjelljen e para një jave në veri, raporton Gazeta Express.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, bashkëpunimi i Qeverisë me KFOR-in ishte tema kryesore e takimit.
“Bashkëpunimi i afërt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), përbrenda mandateve që kanë, ishin në qendër të takimit ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe komandantit të Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajári”, ka njoftuar ZKM.
Në takim, ZKM thotë se “u ritheksua rëndësia e KFOR-it në sigurimin e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it”.
“Kryeministri Kurti theksoi domosdoshmërinë e përcjelljes së mesazheve të qarta për veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend”, thotë Zyra e Kryeministrit.
Në takimin e përbashkët me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kurti thuhet se shprehu gatishmërinë e Qeverisë dhe institucioneve tjera të vendit për bashkëpunim. Në anën tjetër, sipas ZKM-së, Kajari e cilësoi si të mirë bashkëpunimin.
“Komandanti i KFOR-it i falënderoi Kryeministrin Kurti dhe Ministrin Sveçla për bashkëpunimin e mirë mes Qeverisë, Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, ndërsa i përgëzoi policët për sjellën profesionale lidhur me ngjarjet në veri të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
“Kryeministri Kurti dhe Ministri Sveçla potencuan profesionalizmin dhe guximin e organeve tona të rendit dhe të sigurisë, përkatësisht Policinë e Kosovës, në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë sonë”, njoftoi ZKM.