Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, u takua me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Catherine Colonna, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në takim u bisedua për progresin në Kosovë të evidentuar edhe nga organizata ndërkombëtare si dhe Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022, progres të cilin e përshëndeti kancelari Scholz.
“Rritja ekonomike, sundimi i ligjit, mbështetja sociale dhe demokratizimi institucional e shoqëror kanë avancuar gjatë dy viteve të fundit”, theksoi kryeministri Kurti.
Kurti e njoftoi kancelarin Scholz dhe ministren Colonna se Qeveria e Kosovës së fundmi ka miratuar tri marrëveshjet e nënshkruara më 3 nëntor në Berlin, që së shpejti do të ratifikohen edhe në Kuvend, duke dëshmuar kështu përkushtimin për Procesin e Berlinit.
Zyra e Kryeministrit njofton se në takim u fol edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel si dhe për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve, të pranuar tashmë si bazë e mirë për diskutime të mëtejme dhe kornizë solide për të ecur përpara.
Duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe Francës, kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës, si vend pro-evropian dhe pro-amerikan, mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog teksa dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO.