Kurti takohet me Borrellin në Paris

min lexim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në Paris. Qendra televizive e informacionit e BE-së, Europe By Satellite, ka publikuar pamje nga ky takim të premten në mëngjes.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kishte paralajmëruar se Borrelli do të ketë takim gjatë së premtes edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky takim pritet të zhvillohet në orën 18:00, sipas Europe By Satellite.

Stano tha se këto takime janë “tentime për të ndihmuar në zbutjen e përshkallëzimit të situatës, qetësimin e tensioneve aktuale dhe avancimin e dialogut të Brukselit”.

Kurti dhe Vuçiqi ndodhen në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes. Atje janë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 10 nëntor se nuk beson se do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Paris.

Gjatë së enjtes, Kurti dhe Osmani u takuan me kryeministrin francez, Emmanuel Macron. Në komunikatën e përbashkët të lëshuar nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës, u tha se ishte diskutuar edhe për planin franko-gjerman.

“Propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme [në dialogun Kosovë Serbi]”, thuhej në komunikatë.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e kishte konfirmuar më 3 nëntor ekzistimin e planit franko-gjerman, që raportohet se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti, në një konferencë për media më 7 nëntor, tha se Vuçiqi po i përdorte pjesëtarët e strukturave ilegale në veri për destabilizim pasi kishte refuzuar planin franko-gjerman.

Kriza në veri të Kosovës, ku pjesëtarë të komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje nga institucionet kosovare, pasoi nisjen e zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, më 1 nëntor. Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Ky plan parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese. Qeveria nuk ka pranuar të shtyjë datën e nisjes të zbatimit, me gjithë insistimin e komunitetit ndërkombëtar.

Ndërsa, në takimin e së enjtes me presidentin Macron, Vuçiqi tha se i ka treguar homologut të tij francez se cilat janë kushtet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, ndërsa iu referua edhe çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013. Më 2015, palët nënshkruan Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen. Por, Kurti ka deklaruar disa herë se është kundër formimit të ndonjë asociacioni njëetnik./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Konsiderohet si “bomba” e vjeshtës, 4 sëmundjet që lufton konsumimi i shegës çdo ditë

Story i radhës

AMD afirmon dominimin në qendrat e të dhënave me procesorët e fundit EPYC Genoa

Të fundit nga