Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova kërkon normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër të këtij procesi. Ai e ka thënë këtë në një intervistë për gazetën irlandeze “The Irish Times”, të dhënë gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Dublin.
“Duam normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër”, ka thënë Kurti. Sipas tij, fuqitë evropiane e kanë trajtuar Beogradin për një kohë të gjatë ndryshe nga të tjerët, aq sa Serbia u mësua që të dëgjohet e para.
Kurti nuk e ka fshehur kënaqësinë për largimin nga pushteti të Aleksandar Vuçiqit, të cilin e akuzon se ka mbështetur një fushatë për destabilizimin e institucioneve të Kosovës. “Gjatë mandatit të presidentit Vuçiq, vitet e fundit, ata vazhdonin të dërgonin grupe paraushtarake për t’u zënë pritë policëve tanë. Para tri vitesh vranë rreshterin tonë të policisë”, ka thënë ai, duke iu referuar vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku në sulmin e Banjskës. “Presidenti Vuçiq i kishte ‘njerëzit e tij të vegjël të gjelbër’, imituesit e Wagnerit. Mendoj se tani kjo ka marrë fund”, ka shtuar Kurti.
Për qeverinë e re që pritet të formohet në Serbi nga Lista Studentore, Kurti ka qenë i kujdesshëm. “Të dish se kush i humbi zgjedhjet nuk do të thotë se e di edhe kush i fitoi ato”, ka thënë ai, duke shprehur shpresën se qeveria e re në Beograd do të jetë më e orientuar nga Evropa. Sipas tij, Rusia kishte lëshuar rrënjë në Serbi gjatë qeverisjes së Vuçiqit.
Deklarata e Kurtit vjen në një kohë kur Lista Studentore, fituese e zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, ka paralajmëruar një qëndrim të ashpër ndaj Kosovës. Në programin e saj për politikën e jashtme, kjo listë thotë se do ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Ajo kërkon gjithashtu që marrëveshjet e arritura në dialog të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë. Bashkimi Evropian, nga ana e tij, ka bërë të qartë se ndryshimi i pushtetit në Beograd nuk i ndryshon detyrimet e Serbisë në procesin e normalizimit.
Në intervistë, Kurti ka folur edhe për rrugën evropiane të Kosovës, e cila aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022 dhe ende nuk e ka statusin e vendit kandidat. “Ne vërtet e meritojmë statusin e kandidatit. Nuk po kërkojmë favor. Po kërkojmë një pyetje, sepse ne do t’i japim përgjigjet”, ka thënë ai. “Asnjë rrugë e shpejtë, asnjë derë e pasme, asnjë rrugë e shkurtër. Kërkojmë një proces të bazuar në merita”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se për Kosovën procesi i anëtarësimit nuk është më pak i rëndësishëm se vetë anëtarësimi.
Kryeministri ka folur ashpër edhe për Rusinë dhe luftën në Ukrainë. “Presidenti despotik Putin nuk njeh rrugë tjetër përveç zgjerimit dhe hegjemonisë territoriale të Rusisë. Kur ata thonë paqe, e kanë fjalën për nënshtrimin tuaj. Evropa është në luftë”, ka deklaruar Kurti.
Burimi: botasot.info


