Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se me ligjin për paga po rregullojnë barazinë e brendshme, pasi do të ketë një nivel të përafërt midis pagës së profesorit të rregullt, prokurorit apo gjyqtarit dhe mjekut specialist.
Kurti në një intervistë për KP, është shprehur i bindur se kanë qenë qeveri e suksesshme, madje duke mos u bazuar në krizën e shumëfishtë, e cila nuk ishte vetëm kosovare. Sipas tij, gjatë këtij viti, kabineti qeveritar ka arritur të ketë 20 % në shumë vendime qeveritare se sa vitin e kaluar, pasi janë 1069 vendime nga 117 mbledhje gjithsej për më pak se sa gjysmën e mandatit.
Ai përmendi miratimin e 71 projektligjeve, 70 emërimeve dhe 22 koncept dokumente.
Kurti: Me ligjin për pagat po e rregullojmë barazinë e brendshme
“Ne jemi shumë të lumtur që do të kemi një rritje ekonomike prej 4 % të Bruto Produktit Vendor, pasi të hiqet inflacioni. Vjet e kemi pasur 10.7 % të Bruto Produktit Vendor dhe janë rritur eksportet për 22 % sivjet, janë rritur të hyrat doganore për mbi 11 %, janë rritur të hyrat tatimore për gati 22 % dhe janë rritur investimet të huaj direkte për 47 përqind. Gjithashtu kemi pasur në prill pakon e ringjalljes ekonomike prej 100 të cilës ia kemi bashkangjitur në shtator pakon e përballje me inflacion 150 milionë euro dhe unë besoj që kjo e dyta ka ndikuar edhe në kursim të energjisë elektrike prej 15 % për amvisri për muajin nëntor të këtij viti, krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Rezervat shtetërore për 15 herë dhe 5 mijë gra janë punësuar me masën 1.3, me që rast janë punësuar gjithsej persona me aftësi të kufizuar 239, 119 burra dhe 120 gra sepse ky vit ishte shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara. Ajo çfarë duhet të përmendet është që tashmë do të kemi një projektligj të ri dhe ka kaluar në Kuvendin e Kosovës dhe është bërë ligj, është ligjin për pagat dhe ndonëse kemi pritur më gjatë, po e rregullojmë barazinë e brendshme, ku paga më e lartë e presidentes do të jetë vetëm 1.5 herë më e lartë se sa e mjekut specialist, do të jetë vetëm 3.12 herë se sa e ushtarit të thjeshtë dhe do të ketë një nivel të përafërt midis pagës së profesorit të rregullt, prokurorit apo gjyqtarit dhe mjekut specialist në anën tjetër “, tha ai, duke shtuar se 30 mijë nënave lehona u kanë dhënë shtesa dhe që të gjithë fëmijëve deri në moshën 13 vjeçare, ndërkaq moshën 16 vjeçare menjëherë në vitin e ardhshëm.
Sipas tij, një premtim që e kanë dhënë për katër vite mandat, po e realizojnë brenda gjysmë mandati dhe do t’i përfshinë diku rreth 260 mijë përfitues.
Kurti: Buxheti i shtuar për ushtri që është një arritur e madhe
“Ajo për çfarë jemi krenarë që i kemi zhvilluar 850 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës dhe me këtë rast janë arrestuar 3052 persona, 288 janë zyrtarë publikë, me që rast janë shkatërruar 69 grupe kriminale dhe janë konfiskuar afër 2 tonë substanca narkotike. Po ashtu, në bujqësi kemi ndarë rreth 70 milionë euro për 28 mijë fermerë dhe eksportet e produkteve bujqësore dhe ushqimore janë shtuar për 44 %. Duhet të përmendur edhe buxheti i shtuar për ushtri që është një arritur e madhe. Këtë vit e pasur buxhetin 52 % më shumë se sa në vitin e kaluar, ndërkaq në vitin e ardhshëm do t’i kemi edhe 20 % më shumë buxhet për ushtrinë tonë, ku në këtë vit kemi rekrutuar 820 ushtarë dhe 30 kadetë, ndërkaq në proces të rekrutimit janë edhe 612 ushtarë aktiv dhe 388 rezervë dhe unë ftoj të gjitha djemtë dhe vajzat e vendit që të aplikojnë“, tha ai.
Kryeministri Kurti ka përmendur edhe buxhetin e rritur për Qendrën Kinematografike, shëndetësinë, sistemin dual, por edhe fondacionet e marra nga BE dhe Gjermania për ujërat e zeza dhe mbeturinat. Kurti është pyetur edhe për vonesën në investimet kapitale, ku tha se ka filluar një dinamik e re e punimeve.
Kurti: Shteti nuk ka borxhe ndaj ndërmarrësve ekonomik
“Nuk ka punë të cilat janë kryer e nuk paguhen dhe tash e kemi bërë edhe projektligjin e ri i cili do të na mundësojë neve të kompensojmë për shkak të inflacionit për operatorët e ndryshëm ekonomik, me ç’rast ne edhe u patëm bërë thirrje operatorëve ekonomik që në këtë krizë të inflacionit duhet që të gjithë ta barrën, jo vetëm konsumatori e punëtori por edhe ndërmarrësit dhe qeveria do të ndihmojë dhe tash ka filluar një dinamik e re e punimeve. Pra nuk ka borxhe shteti ndaj ndërmarrësve ekonomik privat”, tha ai.
Ai është pyetur nëse do të arrijnë premtimet në shëndetësi, kur tanimë dihet se për më shumë se dy muaj nuk kishte emëruar ministër të këtij dikasteri.
Kurti: Emërimi i Arben Vitisë do të dëshmohet se ia ka vlejtur
“Tash do të punojmë edhe më shumë se sa në të kaluarën në shëndetësi dhe unë besoj që emërimi i tretë i Arben Vitisë do të jetë një gjë e cila do të dëshmohet se ia ka vlejtur edhe sa i përket mirëqeverisjes por në të njëjtën kohe edhe sa i përket një dobie të përshpejtuar në këtë sektor. Me këtë rast më lejoni të falënderoj përzemërsisht për kontributin e tij të madh me përpjekje titanike në kushte tejet të vështira të doktor Rifat Latifit “, tha Kurti.
Ai u ndal tek mundësia për t’i ndihmuar refugjatët afganë e ata nga Ukraina, ku tha se 1893 refugjatë afganë janë strehuar në vendin tonë e tash së fundmi 5 gazetare me familjet e tyre, si dhe 12 gazetarë nga Ukraina, ndërkohë që zotimi është për 5 mijë refugjatë nga Ukraina, pasi atje po mbrohet demokracia, liria dhe siguria e kontinentit tonë dhe jo vetëm.