Kurti: Nuk mund të pranoj kushtëzimin nga ana e Serbisë

September 14, 2023
min lexim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të nivelit të lartë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, deklaroi se nuk ka pasur rezultate sepse nuk mund të pranojë kushtëzimin e zbatimit të marrëveshjes bazë për normalizim nga Serbia, raporton Anadolu.

Në një adresim para gazetarëve në Bruksel, Kurti tha se ai ka propozuar sekuencën e hapave për zbatimin e marrëveshjes së normalizimit nga 27 shkurti dhe aneksin e marrëveshjes së Ohrit nga 18 marsi, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk ka bërë asnjë propozim.

“Takimi nuk ka pasur një rezultat. Nuk ka mundur të ketë kompromis, meqenëse nuk mund të ketë kompromis midis propozimit me sekuencë dhe kushtëzimit të vjetër”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se në takimin e sotëm ka kërkuar që të shohë propozimin e Serbisë për zbatimin e marrëveshjes bazë, por se ndërmjetësit evropianë nuk kanë qenë në gjendje t’ia tregojnë atë.

“Dhe vetëm pas përfundimit të takimit, m’u dha një dyfaqësh, anglisht dhe serbisht, në alfabetin cirilik, i cili paraqet një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që do të thotë se nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar si propozim i palës serbe, por që në fakt ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshja e para dhjetë vjetëve, e më pastaj eventualisht do të mund të kalojmë në zbatimin e marrëveshjes bazë”, deklaroi Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se neni 10 i marrëveshjes bazë parasheh që të gjitha marrëveshjet e arritura më parë duhet të zbatohen, por jo të zgjidhet se cilat do të zbatohen.

“Unë nuk e kam pranuar një kusht të tillë, por fatkeqësisht ndërmjetësi evropian (Miroslav) Lajçak e ka pranuar atë kusht”, tha Kurti, duke shtuar se kjo e vë në pikëpyetje pozicionin e Lajçakut si ndërmjetës.

Lidhur me rrugën drejt zgjedhjeve të reja në komunat në veri të Kosovës, Kurti, në pyetjet e gazetarëve, tha se kryetarët e komunave nuk mund të detyrohen të japin dorëheqje në emër të askujt. Ai tha se kryetarët aktualë shqiptarë nuk mund të vuajnë pasojat e dorëheqjes kolektive të përfaqësuesve të Listës Serbe.





MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Pse po ndalon Franca shitjen e iPhone12?

Story i radhës

Ukshini: Serbia po kërkon Asociacion përtej marrëveshjes së 2013-ës, Bislimi i pavëmendshëm

Të fundit nga

ShkoLartë