Kryeministri i Kosovës, pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim të Kosovës në BE, ka mbajtur konferencë për media në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Pragë.
Kurti tha se se pas Këshillit të Evropës, e pas aplikimit për anëtarësim në BE, Kosova do të bëjë edhe hapin e radhës për anëtarësim në NATO.
I pari i Qeverisë tha para gazetarëve se anëtarësimi në NATO është më i lehtë, pasi aty kemi vetëm katër shtete mosnjohëse, për dallim nga BE-ja.
“Pas aplikimit në Këshill të Evropës dhe pas aplikimit për anëtarësim në BE, do ta bëjmë edhe hapin e radhës sa i përket NATO-s, ku mbase e kemi një lehtësi, ku në NATO i kemi katër shtete mosnjohëse, për dallim nga Bashkimi Evropian ku i kemi pesë”, tha Kurti.
Në konferencën për media, Kurti foli edhe për pesë shtetet mosnjohëse të Kosovës, për të cilat tha se nuk janë pengesë në rrugëtimit drejt BE-së.
Ai u shpreh se për anëtarësim në BE këto shtetet mosnjohëse i duhen Kosovës, por që ka kohë mjaftueshëm për t’i siguruar edhe ato, e këtë shteti ynë duhet ta bëjë sa më parë.
“Mosnjohja e 5 shteteve nga BE nuk do të na pengojë në rrugëtimin drejt BE. Për anëtarësim do të na duhen, por besoj që e kemi kohën e mjaftueshme për t’i siguruar ato, dhe këtë duhet t’a bëjmë sa më parë. BE nuk është i njëjti pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë. Të gjitha shtetet e kuptojnë që në një situatë të re është e nevojshme që të kemi anëtarësim të përshpjetuar, e kjo u tha në Samitin e Tiranës, ku u bë thirrje për anëtarësim për integrim të përshpejtuar”, tha Kurti në konferencën e mbajtur në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Pragë.
Vendet mosnjohëse nuk kanë pse të jenë skeptike për ta ndryshuar pozitivisht qëndrimit, siç thotë Kurti, duke parë zhvillimet në dy vitet e fundit në Kosovë, ndërsa përmend rritjen ekonomike dhe cilësinë e demokracisë.
“Besoj edhe këto pesë shtete mosnjohëse do të na ndihmojnë në rrugëtimin tone. Nuk mund të kthehemi prapa, duhet të ecim përpara, dhe përpara duhet të na presin edhe këto 5 shtete të cilët besoj që duke parë edhe zhvillimet në Kosovë dy vitet e fundit, edhe për rritjen ekonomike dhe cilësisë se demokracisë, nuk kanë pse të jenë skeptike për ta ndryshuar pozitivisht qëndrimin”, shtoi Kurti.