Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mbajti ligjëratë virtuale në ditën përmbyllëse të edicionit të pestë të Universitetit Ndërkombëtar Veror, i organizuar nga Universiteti “Haxhi Zeka”, në Pejë.
Sipas komunikatës së zyrës së kryeministrisë, Kurti ka thënë se pjesëmarrja e lartë e tyre në UNISUM 2026 është dëshmi se institucionet e arsimit të lartë po bëhen qendra të rëndësishme për shkëmbime shkencore dhe kulturore.
“Qeveria jonë po investon ashtu që dija dhe kërkimet të kalojnë kufijtë gjeografik. Shteti ynë demokratik, me potencial të jashtëzakonshëm njerëzor dhe rini aktive, po vazhdon të ngritet në rankime të ndryshme ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, ne po punojmë bashkë me institucionet tona që të zgjerojmë edhe më shumë mundësitë për mobilitet akademik, kërkime shkencore dhe pjesëmarrje në programe ndërkombëtare”, tha kryeministri.
Kurti gjatë fjalimit të tij, ka përmendur politikat e ndërmarra në mbështetje të arsimit.
“Një nga vendimet e para të Qeverisë ishte që ta bëjmë arsimin e lartë publik falas. Në vendin tonë, arsimimi është e drejtë e garantuar, andaj ishte përgjegjësia jonë që të largojmë barrën financiare. Si rezultat, më shumë se 173,000 studentë të nivelit bachelor dhe master janë përjashtuar nga tarifat”, tha ai.
Në edicionin e sivjetmë të UNISUM, i mbajtur nga 29 qershori deri më 10 korrik, morën pjesë më shumë se 100 studentë ndërkombëtarë dhe rreth 30 studentë vendorë. Ndërkaq, u angazhuan gjithsej 31 profesorë, 16 vendorë dhe 15 të tjerë ndërkombëtarë, nga shtete si Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kroacia, Turqia, Gjermania, Finlanda, Hungaria, Polonia, Moldavia dhe Mali i Zi.
Burimi: botasot.info


