Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur tubim elektoral në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku ka shpalosur zotimet kryesore të programit qeverisës për mandatin e ardhshëm.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se mbështetja e qytetarëve në këtë lagje është dëshmi e besimit në programin dhe vizionin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se qeverisja e ardhshme do të jetë në shërbim të çdo qytetari dhe interesit shtetëror të Kosovës.
Ai paralajmëroi dyfishimin e eksporteve dhe rritjen graduale të ekonomisë së vendit, duke thënë se synimi është që ekonomia e Kosovës deri në vitin 2026 të arrijë vlerën prej 12 miliardë eurosh. Po ashtu, Kurti njoftoi se buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm pritet të arrijë në 4 miliardë euro.
Kurti deklaroi se rritja ekonomike, sipas tij, ka ardhur si rezultat i qarkullimit më të madh të bizneseve, ndërsa premtoi investime prej 1 miliard eurosh në prodhimtari, punësimin e të rinjve dhe të rejave, si dhe investime prej 1 miliard eurosh në sektorin e mbrojtjes, përfshirë blerjen e armatimit.
Në fund të tubimit, Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje ka programin e sigurisë dhe begatisë, i cili synon, sipas tij, mirëqenien dhe të ardhmen e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Burimi: botasot.info


