Kryeministri i Kosovës Albin Kurti iu ka uruar sot suksese 39 sportistëve kosovarë që do të garojnë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” në Algjeri nga data 25 qershor – 6 korrik.
Në ceremoninë e prezantimit të ekipit të Kosovës, kryeministri Kurti vlerësoi lart sukseset e arritura nga sportistët deri më tani dhe kërkoi angazhim të mëtutjeshëm që vendi ynë të përfaqësohet sa më denjësisht në arenën ndërkombëtare.
“Sakrifica juaj dhe sukseset tuaja meritojnë përuljen tonë. Puna juaj dhe përkushtimi maksimal ka bërë që Kosova të përfaqësohet denjësisht në shumë gara të rëndësishme dhe ne natyrisht se presim edhe suksese të reja. Ne natyrisht se presim medalje nga xhudistet tona, por kësaj radhe duam dhe presim suksese edhe nga sportet e tjera”, tha Kurti.
Ekipi i Kosovës përbëhet prej 39 sportistëve, 16 trajnerëve dhe tre gjyqtarëve.