Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se mesatarja vjetore e investimeve të huaja direkte gjatë qeverisjes Kurti është 2.4 herë më shumë se mesatarja vjetore e qeverive të kaluara nga viti 2007 e tutje.
“Mesatarja vjetore e Investimeve të Huaja Direkte gjatë qeverisjes sonë është 705.6 millionë euro apo 2.4 herë më shumë sesa mesatarja vjetore gjatë qeverive të kaluara e cila është 299.8 milionë euro nëse e marrim nga viti 2007 e këtej”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Tutje, Kurti ka thënë se përmes “investimeve, sundimit të ligjit, e qeverisjes së mirë” kjo qeveri po e bën shtetin një destinacion “më tërheqës” për investime të huaja.
“Qeverisja e mirë dhe e ndershme, me besueshmëri dhe kënaqshmëri të lartë qytetare, sundimi i ligjit, përparimi demokratik, stabiliteti institucional, reformat ekonomike, përgjegjshmëria fiskale, politikat tatimore të përshtatshme, mbështetja e investimeve përmes garantimit të kredive, fuqia punëtore e kualifikuar, e me skemat e punësimit të subvencionuara nga qeveria po e bëjmë shtetit tonë një destinacion përherë e më shumë tërheqës për investime dhe opsion gjithnjë e më të favorshëm për investitorë të huaj”, ka vijuar ai.