“Kurti mendon se është Zelensky i vogël”, Vuçiç: Nuk jam Putini i Vogël

min lexim

Lidhjet e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç me Moskën ngrenë pyetje të sikletshme, ndërsa Kremlini duket se po ngjall trazira në Ballkan për të shmangur vëmendjen nga lufta në Ukrainë.Nga Andrew Higgins, New York Times.

Udhëheqësit serb, Aleksandër Vuçiç, i ka ardhur në majë të hundës cilësimi si “Putin i vogël”, në një kohë që akuzohet se ka qëllime grabitqare ndaj fqinjëve të tij të brishtë në Ballkan.

Vuçiç kishte vërejtur me një farë qesëndie të ftohtë gjatë një interviste në bibliotekën e pallatit presidencial këtë muaj, se ishte “pothuajse dy metra i lartë”. Krahasimisht, Vladimir Putin është rreth një metër e 68 centimetra, ndonëse shtatlartësia ekzakte e presidentit rus mbahet sekret nga Kremlini.

Përtej humorit të Vuçiçit mbi staturën fizike, një pyetje serioze mundon Ballkanin dhe shqetëson diplomatët perëndimorë.

A mos Rusia, e përfshirë në një luftë brutale në Ukrainë, po e përdor Serbinë për të shkaktuar përçarje në Europë dhe për të provokuar konflikt të përtërirë në ish-Jugosllavi për të tërhequr vëmendjen e NATO-s nga beteja në lindje?

Këto frika dolën në sipërfaqe javën e shkuar, kur një mosmarrëveshje për targat mes dy vendeve çoi në protesta të dhunshme, bllokime rrugësh dhe të shtëna, duke bërë të bien kambanat e alarmit në Aleancën e Atlantikut.

Trazirat në Kosovë dhe tensionet në Bosnje dhe Hercegovinë të shkaktuara nga Milorad Dodik, lideri agresiv i enklavës së serbëve etnikë atje, kanë ngritur paralajmërime se Rusia po përpiqet të nxisë tensione, të cilat që nga luftërat Ballkanike të viteve ’90, janë fashitur por nuk janë zgjidhur.

“Rusia mendon se sa më shumë kohë Perëndimi shpenzon duke u munduar me Ballkanin, aq më pak kohë do të ketë të në dispozicion për të vepruar në oborrin e Rusisë”, tha Vuk Vuksanoviç, hulumtues në Qendrën për Politika Sigurie në Beograd. “Por ka kufizime se çfarë Rusia mund të bëjë”, shtoi ai.

“I duhen elitat lokale dhe këto të fundit nuk duan të sakrifikohen për interesat e Rusisë.”

Ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer R. Hill, veteran i zgjidhjes së problemeve diplomatike, dhe emërimi i të cilit kohët e fundit sinjalizoi ankthin e shtuar të Uashingtonit ndaj Ballkanit, tha se Rusia, duke ofruar vetëm “shantazh ekonomik” dhe “kaos nëpër rajon”, kishte gjetur pak mbështetës. “Pavarësisht ndikimit rus në sektorin energjetik të Serbisë dhe pavarësisht përpjekjeve të saj këmbëngulëse për dizinformim, serbët kanë vendosur që e ardhmja e tyre është me Europën dhe Perëndimin”, tha Hill.

Mediat ruse të lajmeve dhe llogaritë e rrjeteve sociale, prej muajsh kanë pompuar raportime nxitëse se serbët etnikë në Kosovë dhe Bosnje po shtypen në mënyrë të patolerueshme. Këto përmbajtje, të cilat gjerësisht shkërbejnë propagandën ruse mbi vuajtjen e rusëve etnikë në Ukrainë, kanë trimëruar nacionalistët serbë pro-rusë.

Tensionet u përshkallëzuan ndjeshëm më 31 korrik, në përgjigje të një plani të qeverisë së Kosovës, më vonë të shtyrë me një muaj, për të ndaluar targat dhe dokumentet serbe duke filluar nga data 1 gusht.

Slavisha Ristiç, ish kryetar i Zubin Potokut, një qytezë në veri të Kosovës, e banuar thuajse vetëm nga popullsi serbe, tha se ai vetë nuk do t’i vendoste targat kosovare në makinën e tij sepse diçka e tillë do të nënkuptonte pranimin e pavarësisë së Kosovës, diçka që pothuajse të gjithë serbët, përfshi Presidentin Vuçiç, thonë se është jashtë diskutimit.

Borko Stefanoviç, një kundërshtar i Vuçiçit, i cili drejton komitetin parlamentar për çështje të jashtme, tha se çështja e targave ishte “kaq e papërfillshme dhe absolutisht qesharake”. “Por,” shtoi ai, “këtu në Ballkan, këto gjëra simbolike kanë rëndësi të jashtëzakonshme.”

Javën që shkoi, Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, shkroi në Twitter se kishte folur me Presidentin Vuçiç mbi përshkallëzimin e situatës në Kosovë, duke deklaruar se aleanca, e cila drejton një mision paqeruajtës në ish-territorin serb, “qëndron e gatshme për të ndërhyrë nëse stabiliteti vihet në rrezik”.

Edhe Ambasadori Hill bëri thirrje për qetësi. Në një intervistë në Beograd, Hill tha se teksa e konsideronte konfliktin e armatosur të pagjasë, ai i kishte thënë Vuçiçit: “Luftërat kanë nisur për tokë, për para, apo dhe për një grua të bukur. Por kjo do të jetë lufta e parë që ka nisur mbi një targë”.

Përplot pika të nxehta, qoftë simbolike apo thelbësore, tokat e ish Jugosllavisë pasqyrojnë në shkallë më të vogël, forcat që veprojnë në Ukrainë: një hegjemoni lokale, Serbia në këtë rast, që zien përbrenda mbi territorin e humbur dhe farefisin etnik të shpërndarë nëpër kufij; si dhe një tërheqje litari ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit.

Vladimir Gjukanoviç, një deputet me peshë në partinë e Presidentit Vuçiç, e sheh Serbinë si një shpagues që “do të detyrohet të fillojë denazifikimin e Ballkanit” – një jehonë ogurzezë e qëndrimit të Rusisë mbi Ukrainën dhe e ëndrrës së Beogradit për “Serbinë e Madhe” në vitet ’90. Presidenti Vuçiç, i cili publikisht e denoncoi deklaratën e Gjukanoviçit si “budallaqe” dhe “të papërgjegjshme”, gjithashtu tha: “Ne kemi vendin tonë. Nuk jemi të interesuar të zgjerojmë kufijtë dhe të përfshihemi në asnjë grindje me fqinjët tanë”.

Ministria e Jashtme e Rusisë i hodhi benzinë zjarrit në Kosovë, kur akuzoi shqiptarët etnikë “radikalë” se po përpiqeshin që t’i shpërngulnin serbët etnikë nga territori dhe se po provokonin trazira për të nisur “një skenar të dhunshëm”.

Presidenti Putin ka përmendur vazhdimisht ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në mbështetje të ndarjes së Kosovës nga Serbia në vitin 1999, si justifikim për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, për të cilin ai thotë se ndodh për të mbrojtur rusët etnikë në Donetsk and Luhansk. “Putini po përdor me mençuri dhe po mëson nga gabimet tuaja të së shkuarës, të cilat ju kurrë nuk do t’i pranoni”, tha Vuçiç, duke iu referuar Perëndimit. “Për Rusinë, Kosova është investimi i përkryer ‘low-cost’ që vetëm jep përfitime”, tha Vuksanoviç, hulumtuesi nga Beogradi. Megjithatë, shtoi ai, kapaciteti i Rusisë për të shkaktuar të pabëra në Ballkan është shtrënguar shumë prej luftës në Ukrainë. “Ka më pak gjëra që Rusia mundet të bëjë tani. Aftësitë e saj janë më të kufizuara dhe është më e izoluar. Burimet e saj janë përqendruar në Ukrainë”, tha ai.

Në këtë kuptim, vlen të merret si shembull, rasti i Dodik në Bosnje dhe Hercegovinë. Duke u mburrur për mbështetje nga Rusia, udhëheqësi i serbëve të Bosnjës provokoi një krizë të rrezikshme në fund të vitit që shkoi, kur u zotua se do të ndërtonte ushtrinë e vet me serbë etnikë dhe praktikisht të shkëputej nga Bosnje-Hercegovina.

Megjithatë, në prill, dy muaj pas nisjes së luftës në Ukrainë, Dodik njoftoi papritur se po e shtynte planin e tij për shkëputje. “Ai pa çfarë po ndodhte në Ukrainë dhe sesi Perëndimi reagoi ndaj Rusisë. Kuptoi se duhej t’i qetësonte gjërat”, tha Vuksanoviç.

Ndërsa Rusia akuzohet gjerësisht se ka inkurajuar ambiciet separatiste të Dodik, diplomatët perëndimorë në rajon përmendin Presidentin Vuçiç si ndihmëtarin e tij në shpalosjen e këtyre planeve.

Vuçiç tha se kishte biseduar me Dodik mbi projektin e tij separatist, por refuzoi të thoshte se çfarë i kishte thënë. “Serbia,” shtoi Vuçiç, “ka mbështetur gjithnjë integritetin territorial të Bosnjes”, siç është përcaktuar nga marrëveshja e paqes së Dejtonit.

Presidenti Vuçiç tha se nuk kishte gisht në protestat e fundit mbi targat në veri të Kosovës, duke thënë se serbët lokalë ishin “100 për qind të ngopur”, veçanërisht me refuzimin e qeverisë kosovare për të zbatuar pjesë kyçe të marrëveshjes së vitit 2013 që u premtonte atyre një masë vetëqeverisjeje.

Përposh shtresave të intrigës dhe armiqësive lokale politike, diçka ngjan e qartë: “Kemi ngecur në një luftë satelite si Ukraina, vetëm në një shkallë shumë më të vogël”, tha Stefanoviç, kreu i komitetit për të çështje të jashtme.

Kjo përballje, sipas Presidentit Vuçiç, e ka vendosur vendin e tij në një morsë të dhimbshme, ndërmjet varësisë nga Rusia për energji dhe mbështetje diplomatike rreth Kosovës, në njërën anë, dhe kërkesave nga fuqitë perëndimore për t’iu bashkuar përpjekjeve për ta ndëshkuar Moskën për pushtimin e Ukrainës.

“Çdo ditë përballem me presionin e tyre për vendosur sanksione ndaj Rusisë”, tha Vuçiç. Ai shton se diçka e tillë nuk do të ndodhë, të paktën jo derisa aplikimi i ngecur prej 13 vitesh i Serbisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, nuk fillon të rimarrë shpejtësi. (Më shumë se 80% e serbëve i kundërshtojnë sanksionet ndaj Rusisë, sipas një vrojtimi të kohëve të fundit.)

Duke i shkaktuar Moskës pezmatim, Serbia mbështeti në mars një rezolutë të Kombeve të Bashkuara që i kërkonte Rusisë të ndalte pushtimin, një votë kjo që shkaktoi zemërim ndër nacionalistët radikalë serbë, të cilët e denoncuan Vuçiçin si “tradhtar”.

Por refuzimi i Serbisë për të vendosur sanksione i ka dhënë municion atyre që e shohin Presidentin serb si kukull të Rusisë. Duke vënë në dukje se Serbia “mbetej i vetmi vend në Europë që refuzon sanksionet ndaj Rusisë”, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në prill e quajti Vuçiçin “Putini i vogël i Serbisë”. Paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor nuk kanë qenë kurrë më të kërcënuara, sipas Kurtit.

Presidenti Vuçiç i hedh poshtë akuzat e Kurtit.

“Kurti do të bëhet ‘Zelenski i vogël’, që lufton ‘Putinin e vogël’”, tha Vuçiç. “Kjo është narrativa e tij – që Vuçiçi është një nacionalist i tmerrshëm që do të luftojë kundër çdokujt.” “Kjo nuk është fare e vërtetë”, shtoi ai. Por, me kaq shumë presion që rëndon mbi Serbinë nga të gjitha anët, Presidenti Vuçiç pranon: “Kemi ngecur, dhe këtë e dimë.”

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Komuna e Gjilanit shpërndau 300 shtëpiza të bletëve për 54 bletarë

Story i radhës

Në burg plagosësi i inspektorit! Gjykata burgos Qani Muçën. Nuk i pranon asnjë nga alibitë

Të fundit nga