Kurti: Këtë javë Kosova dorëzon aplikimin për anëtarësim në BE

December 13, 2022
1 minut lexim

Republika e Kosovës do të aplikojë këtë javë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian (BE) është bërë e ditur nga Qeveria e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë bëri të ditur para kabinetit qeveritar se Kosova është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që po aplikon për BE, edhe pse, siç tha ai “jemi vendi i parë në këtë rajon në nivelin e sundimit të ligjit, lirisë dhe demokracisë”.

Kurti tha se para një jave në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, në deklaratën e përbashkët, BE-ja bëri thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit.

Rrjedhimisht, ai theksoi se aplikimi i Kosovës në BE është në njërën anë përgjigje ndaj premtimit që BE-ja i ka dhënë për anëtarësim rajonit nga Samiti i Selanikut në vitin 2003 por edhe përgjigje direkte për thirrjen e para një jave në Samitin në Tiranë.

“Ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë zyrtarisht në status kandidat duke kaluar në një fazë të re të marrëdhënieve me BE-në. E, kjo është në përputhje me aspiratat e qytetarëve tanë të cilët besojnë thellë se e ardhmja jonë është brenda BE-së, krahas shteteve demokratike me të cilat ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, barazisë dhe të sundimit të ligjit”, tha Kurti.

Sipas tij, Kosova krahasuar me shtetet e rajonit në kohën kur ato kanë aplikuar në BE është më e përgatitur, me legjislacion të avancuar e të harmonizuar me BE-në, me institucione të qëndrueshme e me kapacitete të plota për t’u përgjigjur në pyetësorin e BE-së dhe me indikatorët më të mirë të sundimit të ligjit në rajon.

“BE është vend i paqes, sigurisë, barazisë dhe prosperitetit andaj edhe Republika e Kosovës e ka vendin natyrshëm në këtë shtëpi të përbashkët”, theksoi Kurti.

Kosova e paralajmëroi aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2021 në takimin vjetor të Këshillit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) në Bruksel.





MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Konfliktet fisnore në Sudanin e Jugut zhvendosin 40 mijë civilë

Story i radhës

Cikli i ulët mban mësim në shkollën Aziz Sylejmani në veri

Të fundit nga

ShkoLartë