Kurti dhe Lajçak bisedojnë për hapat e ardhshëm në dialogun Kosovë-Serbi

February 19, 2022
1 minut lexim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bisedoi të shtunën me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, për hapat e ardhshëm në dialogun me Serbinë.

Kryeministri Kurti tha se Qeveria që ai udhëheqë mbështetë dhe është e angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, Kurti tha se është “për dialog parimor e të balancuar nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”.

Ai po ashtu theksoi se Kosova është e vendosur “që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, të ngelen të pacenuara”.

Ndërkaq, Lajçak tha se takimi i tyre, që është mbajtur në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Mynihut, ka qenë i detajuar dhe konkret “për hapat e ardhshëm të dialogut për normalizimin me Serbinë”.

Takimi ndërmjet Kurtit dhe Lajçakut u mbajt para takimit të paralajmëruar të 22 shkurtit në nivel të krenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si bartës të dialogut, nuk janë takuar që nga korriku i vitit 2021.

Ngecjen në bisedime besohet se e kanë shkaktuar mospajtimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në vitin 2013, dy vendet kanë arritur marrëveshje për themelimin e këtij asociacioni, por zbatimi i saj ka ngecur.

Kryeministri Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.

Serbia, në anën tjetër, insiston në formimin e tij./rel

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Një operim i veçantë kryhet te një pacient me tumor të kokës

Story i radhës

I ishte kthyer në makth prej kohësh, e mitura denoncon në Polici 24-vjeçarin

Të fundit nga

ShkoLartë