Kurti: Dezinformimi i Beogradit shtyu zbatimin e vendimit për reciprocitetet

min lexim

Shtyrja e zbatimit te vendimeve për reciprocitet me Serbinë u bë për shkak të fushatës së madhe të dezinformimit që Beogradi ka bërë mbi qytetarët e Kosovës, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë seancës parlamentare të 4 gushtit në Kuvendin e Kosovës.

“Ka qenë e egër fushata e dezinformimit, është folur për operacionin stuhia që do të ndodh të dielën, është folur për ferrin që do t’i pllakos serbët në Kosovë, e të tjera e të tjera”, tha Kurti.

Ai tha se këto dezinfomarta kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës që të pranojë tek faktorët ndërkombëtarë evropian dhe amerikanë shtyrjen e vendimit më 1 shator 2022.

“Ajo që është dashur të ndodh para 11 viteve ne po fillojmë të zbatojmë tani. Njëmbëdhjetë vjet ka pasur pritje e tash më pak se 1 muaj ka nxitim. Pra ky muaj qenka shumë më i rëndë se ato 11 vjet”, tha Kurti.

Më 29 qershor, në një mbledhje të rregullt, Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për hyrjen të shtetasve të Serbisë në Kosovë, si dhe për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë – të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë – me ato RKS. Sipas vendimit, më 1 gusht do të niste zbatimi i tij.

Më 31 korrik, në shenjë proteste, serbët lokalë vendosën barrikada në dy rrugët që çojnë për në pikat kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Pas tensioneve, bllokimit të rrugëve në veri dhe ndërhyrjes ndërkombëtare, Kosova u pajtua që të shtynte lëshimin e formularëve për shtetasit serbë deri në fillim të shtatorit, si dhe periudhën dymujore për riregjistrimin e targave.

Kurti tha se vendimi për reciprocitet me Serbinë do të bëhet me 1 shtator dhe se me punë dhe angazhim gjithçka do të përmbyllet mirë.

“Më mirë me 1 shtator se hiç”, tha Kurti.

Këto deklarata të kryeministrit Kurti vijnë pas akuzave që deputet të partive opozitare i kanë bërë Qeverisë për situatën e krijuar në veri.

Kurti tha se këto dy masa janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe se ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes në mes të Prishtinës dhe Beogradit u arrit në Bruksel në vitin 2011.

Pika 3 e marrëveshjes thotë se “Secila palë mund të aplikojë një sistem ku kartat e identitetit do të shoqërohen me dokument të shkruar hyrje/dalje për personat nga vendi tjetër”.

E njëjta marrëveshje parasheh që në Kosovë të përdoren vetëm targat RKS ose KS. Targat KS nga shtatori i vitit 2020 më nuk lëshohen nga autoritetet kosovare.

Lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje Serbia e pati zbatuar menjëherë ndaj shtetasve të Kosovës, por jo edhe Kosova ndaj shtetasve serbë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Wanda Nara divorcohet nga Mauro Icardi

Story i radhës

Eurostat: 74.7% e popullsisë në moshë pune në Shqipëri është e rrezikuar nga varfëria

Të fundit nga