Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në shkurt të këtij viti, dy ditë pas zgjedhjeve u bë cak i një ‘kurthe’ nga dy komedianët e njohur rus, Vovan dhe Lexus.
Këta dy të fundit zhvilluan një bisedë telefonike me Kurtin, duke u paraqitur si presidenti i Letonisë.
Mirëpo, a është ky një sinjal që lufta hibride serbo-ruse është më shumë se prezente në Kosovë dhe çfarë masash duhet të ndërmarrin institucionet e vendit?
E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj.
Së pari, tha se ky është një sinjal që Kosova vazhdon të jetë në shënjestër të operacioneve hibride e Rusisë dhe Serbisë.

Po ashtu potencoi se qëllimi i komedianvëe rusë ishte të diskreditonin lidershipin e Kosovës.
“Po, ky rast është një tjetër dëshmi që Kosova vazhdon të jetë në shënjestër të operacioneve hibride nga Rusia dhe Serbia. Lufta hibride përfshin një gamë të gjerë taktikash, përfshirë dezinformimin, manipulimin e opinionit publik, sulmet kibernetike dhe infiltrimin në proceset politike dhe vendimmarrëse. Duke mashtruar kryeministrin e Kosovës dhe duke publikuar bisedën, qëllimi i këtij veprimi ishte të diskreditonin lidershipin kosovar, të nxisnin konfuzion dhe të përçanin aleancat ndërkombëtare të Kosovës.
Vovan dhe Lexus janë të njohur për lidhjet e tyre me shërbimet ruse dhe shpesh kanë realizuar rrengje të tilla ndaj liderëve të vendeve që kanë qëndrim kritik ndaj politikave të Kremlinit. Prandaj, ky nuk është një incident i izoluar, por pjesë e një strategjie më të gjerë që synon të minojë institucionet e Kosovës dhe ta portretizojë atë si një shtet të brishtë”.
Krahas kësaj, Gecaj përmendi edhe masat që duhet të merren nga ana e institucioneve të Kosovës, për t’u mbrojtur prej sulmeve serbo-ruse.
“Për të mbrojtur veten nga operacionet e tilla hibride, Kosova duhet të ndërmarrë disa hapa kyç:
• Përmirësimi i sigurisë kibernetike dhe verifikimi i komunikimeve – Liderët politikë dhe institucionet duhet të kenë protokolle të qarta verifikimi për të shmangur mashtrime të tilla. Duhet të zbatohet një sistem sigurie që konfirmon identitetin e personave përpara bisedave telefonike ose virtuale.
• Rritja e ndërgjegjësimit për dezinformimin – Duhet një fushatë e vazhdueshme për të identifikuar dhe kundërshtuar narrativat e rreme serbo-ruse në media dhe rrjete sociale.
•Bashkëpunimi me aleatët ndërkombëtarë – Kosova duhet të forcojë partneritetin me vendet perëndimore për të pasur mbështetje në mbrojtjen nga kërcënimet hibride dhe për të ndarë informacione mbi taktikat ruse.
• Ligje më të rrepta për mbrojtjen e informacionit – Institucionet duhet të miratojnë rregulla më të forta për mbrojtjen e të dhënave dhe komunikimeve qeveritare, si dhe të rrisin mbikëqyrjen ndaj ndikimeve të huaja.
• Zhvillimi i një strategjie kombëtare kundër luftës hibride – Kosova duhet të ketë një plan të qartë për të adresuar këto kërcënime në nivel strategjik, duke përfshirë koordinimin mes institucioneve shtetërore, mediave dhe shoqërisë civile”, nënvizoi ai.
Në fund, shtoi se ky rast duhet të jetë mësim për të ardhmen për institucionet e Kosovës.
“Ky incident duhet të shërbejë si një mësim për të ardhmen, duke nxitur një qasje më të kujdesshme ndaj kërcënimeve të tilla. Serbia dhe Rusia nuk kanë hequr dorë nga përpjekjet për të dëmtuar Kosovën dhe mbrojtja nga lufta hibride duhet të jetë një përparësi shtetërore”, përfundoi Hysen Gecaj për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info