Taulant Seferi po konfirmohet gjithnjë e më tepër si lideri i një Tirane që udhëton me vela të hapura drejt titullit kampion. Sulmuesi nga Kumanova po përjeton sezonin e tij më të mirë të karrierës, deri më tani 11 gola me bardheblutë, një më tepër sesa kishte shënuar në vitin e tij më të mirë me Winterthur në Zvicër.
Shpërthimi dhe shpërblimi i një kualiteti të padiskutueshëm, i aftë që jo vetëm me cilësitë teknike, por dhe me personalitetin dhe grintën të tërheqë skuadrën. Edhe në muajt e tij të parë me Tiranën efekti “Seferi” ishte i padiskutueshëm, por këtë sezon 25-vjeçari nga Kumanova ka rregulluar raportin e tij me golin, duke rritur ndjeshëm ndikimin e tij në kampionatin bardheblu.
Nëse u hedh një sy shifrave, shikon se kur Seferi shënon, Tirana nuk humbet kurrë.
Në të 9 ndeshjet e këtij kampionati, që sulmuesi ka shkundur rrjetën, kjo pasi dy herë e ka mbyllur me dygolësha, Tirana ka koleksionuar 7 fitore dhe dy barazime, asnjë humbje. 19 prezenca në total, pa humbur asnjë sfidë deri më tani, por një pauzë do të vinte edhe për të.
Në takimin me Skënderbeun, Seferi mori kartonin e katërt të verdhë dhe, si pasojë, do të jetë i skualifikuar për takimin e fundjavës së ardhshme, sfidën me Egnatian. Një takim i rëndësishëm për Tiranën në kërkim të arratisjes, ku Orges Shehit do t’i duhet të bëjë pa sulmuesin kryesor. Natyrshëm që alternativat për teknikun nuk mungojnë, me Tiranën që ka spikatur edhe për faktin se e gjen golin me disa interpretues, dhe tani i duhet të konfirmojë se di të fitojë, edhe pa Seferin.