Seria Google Pixel 10 është pranë prezantimit, dhe tani kemi edhe datën zyrtare të prezantimit.
Google do të organizojë ngjarjen e tij të zakonshme “Made by Google” më 20 gusht 2025, dhe pritet që pikërisht në këtë datë të prezantohet edhe Pixel Watch 4, megjithëse kjo e fundit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, sipas raportimeve nga Android Headlines.
Vlen të përmendet se javën e kaluar, Google u ka dërguar ftesa disa prej “superfansave” të Pixel-it, duke i ftuar t’i shohin pajisjet e reja më herët se të tjerët – konkretisht më 25 qershor.
Kjo ka bërë që shumëkush të mendojë se Pixel 10 do të prezantohet më herët këtë vit, por kjo nuk është e saktë. Pajisja do të prezantohet zyrtarisht më 20 gusht 2025.
Nëse keni shpresuar për një ndryshim të madh në dizajn krahasuar me Pixel 9, mund të zhgënjeheni — sepse Pixel 10 do të ngjajë në masë të madhe me pararendësin e tij.
Megjithatë, ka edhe lajme të mira: Google do të vazhdojë të ofrojë modelin “Pro” në këtë seri.
Kështu që, pritet të kemi Pixel 10 dhe Pixel 10 Pro me ekrane të ngjashme në madhësi, si dhe një model Pixel 10 Pro XL me ekran më të madh, si edhe një version të palosshëm të quajtur Pixel 10 Pro Fold.
Burimi: botasot.info