Në konferencën për ecurinë e çështjes ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith ka thënë se trupi gjykues mbetet i bindur që data 1 mars 2023 është data më e përshtatshme për të filluar gjykimin.
Në këtë drejtim, trupi gjykues ka kërkuar nga ZPS që t’i dorëzojë panelit listën e 12 dëshmitarëve të parë të cilët do të dëgjohen gjatë dy javëve të para apo gjatë tre javëve të para në qoftë se numri është më i madh, brenda datës 1 shkurt 2023 në ora 16:00.
“ZPS duhet të paraqesë emrin apo pseudonimin e tyre, radhën e paraqitjes, deklaratat e mëparshme apo transkriptet e dëshmisë së tyre, nëse dëshmitarët që ZPS do të paraqesë do të japin dëshminë gojore pjesërisht apo tërësisht, dhe nëse ZPS dëshiron të paraqesë dëshmitë e tyre dhe transkriptin e provave në bazë të rregullës 154, çështjet, faktet dhe rrethanat mbi të cilat do të merren në pyetje, kohën për pyetjet kryesore, dokumentet për provat materiale që ZPS pretendon të përdorë me secilin prej dëshmitarëve sipas numrit rendor dhe masat mbrojtëse të urdhëruara për dëshmitarët”, ka thënë gjykatësi Smith.
Po ashtu, më datë 17 shkurt 2023 në ora 16:00, palët mbrojtëse dhe mbrojtja e viktimave janë urdhëruar që të njoftojnë trupin gjykues dhe pjesëmarrësit e tjerë lidhur me dëshmitarët e ZPS, nëse dëshirojnë t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve.
Ai më tutje ka thënë që nëse ata dëshirojnë të bëjnë pyetje, duhet të njoftojnë sa kohë do të zgjasë, nëse kundërshtojnë pranimin e dëshmisë së dëshmitarit në bazë të rregullës 154 dhe arsyet pse e kundërshtojnë këtë, nëse kundërshtojnë pranimin e ndonjë prej dokumenteve apo të tërë dokumenteve që propozon ZPS të shfrytëzoj me atë dëshmitar dhe arsyet se përse bëhet ky kundërshtim.
“Ekipet e mbrojtjes duhet të konsultohen njëra me tjetrën për natyrën dhe fushëveprimin e kundër-pyetjeve me qëllim që të mos kenë pyetje të përsëritura”, ka shtuar kryetari i trupit gjykues.
Edhe mbrojtja e viktimave është obliguar që të njoftojë trupin gjykues dhe pjesëmarrësit për dëshmitarët që dëshiron të marr në kundër-pyetje duke dhënë një përshkrim të përgjithshëm të çështjeve dhe të fushës së dëshmisë mbi të cilën mund të bëjnë pyetje.
Trupi gjykues ka thënë se pala paraqitëse ka përgjegjësinë për të bërë të mundur përfundimin e dëshmisë së dëshmitarit dhe të ketë gjithmonë një dëshmitar tjetër të gatshëm nëse një dëshmitar i propozuar nuk është i gatshëm të japë dëshminë në kohën e duhur apo nëse nuk ka kundër-pyetje, apo ato përfundojnë më shpejtë, me qëllim që të mos ketë vonesë të procesit penal.
Sa i përket urdhrit mbi gjuhën e punës, trupi gjykues ka thënë se në përputhje me paragrafin 8.3 gjuha angleze do të jetë gjuha e punës dhe se palët dhe pjesëmarrësit duhet të zbatojnë udhëzimet e vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake lidhur me gjuhën e punës të datës 11 nëntor 2020.
Ndërsa lidhur me zhvillimin e gjykimit, ai është shprehur se aktualisht është një projekt – urdhër i cili është në përfundim e sipër dhe në përputhje me rregullën 116 paragrafin 3, projekt-urdhri për zhvillimin e gjykimit do tu shpërndahet palëve për ta shqyrtuar dhe për të bërë parashtrime sapo ta përfundojë trupi gjykues.
Palët dhe mbrojtja e viktimave janë ftuat që të bëjnë parashtrimet e tyre lidhur me këtë projekt-urdhër deri më datën 13 janar 2023 në ora 16:00.
Tutje, deri më datën 8 shkurt 2023 në ora 16:00, ZPS është ftuar që të paraqesë nëse dëshiron një mocion për dëshmi jo gojore që kanë të bëjnë me: provat materiale apo listën e provave të cilat dëshiron të shfrytëzoj me 40 dëshmitarët e parë, materiale apo prova që ZPS konsideron që janë të rëndësishëm për të paraqitur në mënyrë më efektive argumentet e saj.
Gjykatësi Smith ka theksuar që ZPS nuk është e detyruar të bëj një gjë të tillë por mund ta bëj nëse në përputhje me rregullat mendon që kjo do të shkurtojë kohën në sallë.
Lidhur me këtë pala mbrojtëse do të ketë mundësi që të përgjigjet brenda 22 shkurtit 2023 në ora 16:00.
Gjithashtu, trupi gjykues ka urdhëruar ZPS-në që më 13 janar 2023, të dorëzojë parashtrime lidhur me propozimin e trupit gjykues për të urdhëruar heqjen e të gjitha redaktimeve në aktakuzë brenda datës 30 janar 2023, dhe ti nxjerrë mbrojtjes identitetin dhe materialet e paredaktuara, prova qe kanë të bëjnë me 40 dëshmitarët e parë.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.
Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.
Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.
Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi individualisht penalisht përgjegjës për: pikën 1 persekutim mbi baza politike dhe/ose etnike, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 13 (1) (h), 16 (1) ( a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 2: burgim, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (e), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; pikën 3 arrestimi dhe paraburgimi i paligjshëm ose arbitrar, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c), 16 (1) (a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thuhet në aktakuzë nga ana e prokurorisë.
Në pikën 4, ata ngarkohen me veprën akte tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (j), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit, kurse në pikën 5 për trajtim mizor, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit.
“Pika 6: torturë, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (f), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të ligji; Pika 7: torturë, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 8: : vrasje, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (a), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 9: vrasje, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 10: zhdukja e detyruar e personave, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thotë aktakuza.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.
Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë, raporton Betimi per drejtesi.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.
“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.