Kundërshtimi i Kurtit për “Ballkanin e Hapur”, letra e plotë që i ktheu homologut maqedonas që e ftoi në samit

min lexim

Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i ka ardhur një ftesë për të marrë pjesë në samitin e nismës “Ballkani i Hapur”, që do të mbahet më 7 dhe 8 qershor në Shkup. Ftesa i është dërguar nga Kryeministri i Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski. Kurti i është përgjigjur homologut maqedonas me një letër ku ka folur për këtë nismë, por nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen.

Në letrën që i ka dërguar Kovaçenskit, Kurti ka thënë se Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit, i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në vitin 2020 dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.

“Për këtë qëllim, ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian”, thuhet në letër.

Sipas Kurtit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të punojnë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajon.

“Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”, shkroi Kurti.

Kurti kishte kritikuar nismën “Ballkani i Hapur”, duke thënë se më shumë i ngjan një “Ballkan të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të përbashkët për vendet e rajonit.

Sipas Kurtit, kjo nismë, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duhet të shoqërohet edhe me ballafaqimin me të kaluarën të Serbisë, dhe të presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk mund të them se jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’, pasi që duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, për korrupsionin, për kriminelët e luftës të cilët, siç e dimë të gjithë ne, vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por edhe jo pak prej tyre edhe në pushtet”, kishte thënë Kurti vjet.

Ndryshe, Kosova kundërshton nismën “Ballkani i Hapur”, duke këmbëngulur në atë që Kosova duhet të përfaqësohet si e barabartë, gjegjësisht, si shtet i pavarur brenda cilitdo proces, përfshirë edhe nismën “Ballkani i Hapur”.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Letra e plotë e Kurtit për homologun maqedonas:

I nderuar Kryeministër,

Ju falemnderit shumë për ftesën e datës 23 maj 2022.

Republika e Kosovës mirëpret bashkëpunimin rajonal të bazuar në parimet e barazisë dhe me qytetarët si përfitues përfundimtarë.

Për këtë qëllim, ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.

Të dyja vendet tona ndajnë vlera të përbashkëta dhe aspirata të përbashkëta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu ndajmë një besim të përbashkët në lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, median e lirë dhe lirinë e mendimit dhe një mjedis politik ku opozita nuk heshtet, por lulëzon dhe mund të fitojë në zgjedhjet e ardhshme.

Kjo është arsyeja pse ne kemi ndërmarrë reforma që luftojnë korrupsionin, promovojnë sundimin e ligjit, avancojnë ekonomitë tona dhe rrisin mundësitë për të gjithë. Dhe pse të dyja vendet tona rreshtohen vazhdimisht me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe kundërshtimin e pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia, ku ne shpejt e dënuam dhe vendosëm sanksione kundër Federatës Ruse, pavarësisht vështirësive ekonomike.

Pasi që jemi takuar disa herë, unë besoj fuqishëm se këto janë vlerat që duam të ndjekim në rajonin tonë, për të siguruar paqe dhe prosperitet afatgjatë.

I nderuar Kryeministër,

Besoj se këto synime arrihen më së miri në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku operojmë me rregullat e BE-së dhe vlerat e BE-së dhe ku punojmë për të siguruar mekanizma të trajtimit të drejtë nga të cilët përfitojnë të gjithë qytetarët tanë në mënyrë të barabartë. Siç e dini, në kuadër të Procesit të Berlinit Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë.

Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës.

Sinqerisht,

Albin Kurti

Kryeministër i Republikës së Kosovës

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

1 mijë e 865 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

Story i radhës

Korrupsioni degradim i shtetit dhe institucionit në Kosovë

Të fundit nga