Ministrja e Turizmit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro ka deklaruar se nëse turizmi do të përqendrohet këtë verë në një vend, do të ketë rritje të çmimeve. Kështu është shprehur ajo pas takimit në Prishtinë, me ministren Rozeta Hajdari, kryetarë të komunave, përfaqësues të agjencive turistike dhe shoqata të turizmit. Hajdari e Kumbaro thanë se ky takim ka pasur për qëllim që të identifikojë barrierat dhe përparësitë e sektorit të turizmit të të dyja vendeve.
Ministrja Rozeta Hajdari tha se në vjeshtë do të jetë takimi i radhës me operatorët turistikë, duke përmendur edhe takimin mes dy qeverive me 24 qershor.
Hajdari: Diskutime për telashet dhe mundësitë për të zhvilluar fushën e turizmit
“Sot kemi bashkuar nënkryetarët nga Republika e Shqipërisë dhe katër-pesë kryetarë nga Republika e Kosovës. Kryesisht kryetarët që janë me potencial të turizmit për të diskutuar me tour-operatorët dhe anëtarët e tjerë të sektorit privat, të gjitha telashet që mund t’i kenë por edhe mundësitë, përparësitë që mund t’i kenë për të zhvilluar më shumë oferta të përbashkëta në fushën e turizmit. Dhe sa më shumë për të identifikuar edhe barrierat që ne duhet t’i zgjidhim për të lehtësuar sa më shumë të bërit biznes mes Kosovës dhe Shqipërisë”, ka deklaruar ministrja Hajdari.
Ajo shtoi se ka vullnet nga Shqipëria për të shfrytëzuar potencialet e tregut në Kosovë.
Ndërsa ministrja e Turizmit në Shqipëri, Mirela Kumbaro tha se vlera e shtuar e këtij takimi ka qenë pjesëmarrja e të tri niveleve të qeverisjes me qëllim të tregut të hapur të turizmit.
Kumbaro: Turizmi që na vjen prej Kosovës është shumë i rëndësishëm
“Pa asnjë dilemë, turizmi që ne na vjen prej Kosovës është shumë i rëndësishëm, për të mos thënë më i rëndësishmi që ne kemi në Shqipëri, me shifra që ne na shkojnë mbi dy milionë vizitorë në vit në vitin e kaluar. Presim edhe akoma më shumë, por që është turizëm gjithë vjetor. Në këtë kontekst është detyra jonë si politikëbërës që t’iu përgjigjemi jo vetëm kërkesave që ne mbledhim nga vizitorët, por sidomos nga ata që zhvillojnë sektorin privat të turizmit”, ka thënë ajo.
Kumbaro ka folur edhe për çështjen e çmimeve në këtë sezon turistike në Shqipëri.
Kumbaro: Nëse turizmi përqendrohet në një vend, do të ketë rritje të çmimeve
“Neve duhet të kuptojmë që kemi të bëjmë me një vit ndryshe prej te tjerëve, nuk është thjesht një vit më shumë sesa 2021. Është një vit i cili po përballet përtej turizmit me rritje të çmimeve globalisht… Kemi një zgjerim të hartës turistike strategjike, pra nuk është vetëm bregdeti destinacion i turizmit në Shqipëri, me formulën e agroturizmit ne këtë e kemi shtrirë deri në Kolojë, Gjirokastër, Lezhë. Duke i ftuar të gjithë miqtë dhe mysafirët e Kosovës që ta vizitojnë Shqipërinë, jo vetëm në bregdet por edhe në zonat malore, lumore e liqenore, unë besoj që do të kemi një ekuilibrim shumë më të mirë të çmimeve. Sepse, nëse përqendrohet më shumë në një vend, sigurisht kërkesa bën rritjen e çmimeve”, ka përfunduar Kumbaro.
Pas takimit, Kumbaro ka theksuar se do të punojnë në paketa të përbashkëta për promovimin e turizmit të të dyja vendeve.