Kukësi dhe Teuta janë dy skuadrat që aktualisht ndodhen në dy vendet e fundit të renditjes, duke zhgënjyer në këtë fill edicioni. Skuadra verilindore e nisi me ambicje të mëdha edicionin futbollistk, duke pretenduar vendet e para, por pas katër ndeshjesh e sheh veten në vendin e fundit të renditjes, teksa ka marrë vetëm dy pikë falë barazimeve me Tiranën dhe Teutën ndërsa është mundur nga Vllaznia dhe Kastrioti. Skuadra e Skënder Gegës mori një pikë në transfertën durrsake duke luajtur për më shumë se një pjesë loje me 10 lojtarë, megjithatë te verilindorët situata nuk duket e mirë.
Mëngjesin e së shtunës, Presidenti i Nderit Safet Gjici ka pasur një mbledhje me stafin teknik dhe skuadrën për të analizuar problemet që ka patur skuadra në këto javë të para. Gjici ka kërkuar kthesën nga skuadra, për të lënë pas kërtë gjendje jo të mirë që ekipi po kalon, ndërsa nuk ka vendosur që të ketë masa për këto javë të para.
Kjo është hera e parë në këtë dekadë që Kukësi në katër javë e sheh veten në vendin e fundit të renditjes me vetëm 2 pikë, ndaj verilindorët nuk e kanë përjetuar aspak mirë. Prej shumë kohësh mbledhjet e tilla nuk ishin aplikuar, por mungesa e rezultateve në këtë nisje kampionati ka bërë që Presidenti i Nderit, Safet Gjici të dëgjojë nga afër ekipin. Ndeshja e ardhshme për ekipin verilindor do të jetë me Partizanin, në ‘Kukës Arena’.
Në anën tjetër as Teuta nuk e ka arritur fitoren e parë dhe numëron një pikë më tepër se verilindorët, me trajnerin Bledi Shkëmbi që u rikthye në detyrën e trajnerit pas largimit të Renato Arapit. Aventura e teknikut korçar nisi me barazimin me Kukësin dhe në Durrës duan kthesën sa më parë, duke nisur që nga ndeshja me kampionët e Tiranës, që do të luhet këtë javë që vjen.