​Kuka dhe Kelmendi nderohen me çmimin “Ditët e Shqipes”

min lexim

Nën patronatin e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe ish- brigadës 138 “Agim Ramadani” është shënuar dita e veteranëve të betejës së Koshares “Ditët e Shqipes ku vlerësua lartë sakrifica e madhe e dëshmorëve në betejën e Koshares.

Me këtë rast është ndarë çmimi “Ditët e Shqipes” që iu dha trajnerit të xhudos Driton Kuka dhe ish-fitueses së medaljes së artë në Lojërat Olimpike Majlinda Kelmendi të cilët u vlerësuan lartë për punën dhe përkushtimin e madh që solli rezultate kulminnate për Kosovën nga ky sport.

Ish-komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani” Rrustem Berisha rrëfeu momente nga beteja e Koshares duke thënë se në atë ditë, më 19 prill 1999 armiku pësoi humbje të mëdha dhe u largua i turpëruar

Berisha: Më 19 prill 1999 armiku pësoi humbje të mëdha në Koshare

“Më datën 19 prill 1999 armiku ishte mobilizuar me shumë forca për një kundërofanzivë në drejtim të vijës kufitare. Luftimet ishin të ashpra dhe zgjatnin tërë ditën në të gjitha drejtimet dhe pozicionet tona. Armiku kësaj radhe kishte sjellë njësitet më elitare që e kishte, brigadën 63 të parashutistëve, brigadën 72 speciale, batalionin e policisë ushtarake dhe trupa të shumta me qëllim të rikthimit të pozicionit të humbur. Forcat serbe gjatë kësaj ditë pësuan humbje të mëdha, ashtu siç thoshte vet Sali Çeku, pësuan debakël të vërtetë dhe u tërhoqën me turp…Sot nderojmë forcën, guximin, trimërinë, atdhedashurinë dhe sakrificën e atyre të cilët në kohë luftën tundën armët kundër armikut duke bartur emblemën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Berisha.

Kurse në emër të presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani foli këshilltari i saj Vehbi Miftari i cili tha se ky çmim dëshmon qartë se si kampionët që sollën lirinë, sot po respektojnë disa kampionë të rinj që përmes luftërave sportive po i sjellin Kosovës suksese të mëdha.

Miftari: Kampionët e lirisë po i respektojnë kampionët e rinjë që po i sjellin suksese të mëdha Kosovës

“Në emër të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani të iu urojë për këtë aktivitet që ju e zhvilloni sot, natyrisht për ne ka qenë kënaqësi që të bashkëpunojmë sivjet pra presidentja Osmani ka marr nën patronat të gjitha aktivitete që janë zhvilluar dhe po zhvillohen në kuadër të “Ditëve të Shqipes” 2022. Kampionët e lirisë të cilët thyen kufirin mes shqiptarëve dhe na mundësuan që ne sot të jetojmë të lirë po respektojnë disa kampion të tjerë po kaq të rëndësishëm që me një disiplinë tjetër luftarake por sportive na artet marciale dhe kësisoj ata po nderojnë ata që i dhanë shkëlqim Kosovës”, tha Miftari

Çmimin “Ditët e Shqipes” për Driton Kukën dhe Majlinda Kelmendi e ndau Rrustem Berisha si ish-komandant i Brigadës 138 “Agim Ramadnai”

Me këtë rast, trajneri më i mirë i xhudos në botë Driton Kuka u shpreh i nderuar me çmimin e dhënë dhe tha se ai dhe garuesit tjerë po e ndjekin rrugën e luftëtarëve

Kuka: Ne si sportistë po vazhdojmë betejat që ju i keni nisur

“Unë me Majlindën dhe me garuesit tjerë po e ndjekim një vazhdimësi të atyre betejave dhe luftërave që ju i keni bërë gjatë thyerjes së kufirit…Ne sot po ecim nëpër krejt botën dhe po i tregojmë botës se sa shumë e kemi merituar lirinë. Majlinda është një shembull i mirë se populli shqiptar e ka merituar lirinë. Derisa ne kemi të rinj dhe të reja të këtij kalibri nuk duhet të frikësohemi për të ardhmen e kombi”, tha Kuka.

Ndërsa Majlinda Kelmendi tha se ajo ndihet krenare që e ka ngritur lart flamurin e Kosovës përmes sportit sepse për këtë flamur është derdhur shumë gjak.

Kelmendi: Jam krenare që e kam ngritur flamurin e Kosovës në arena sportive për të cilin është derdhur shumë gjak

“Lirinë të cilën ne e gëzojmë sot është padyshim meritë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë jam shumë me fat që kam arritur me punën, me mundim tim bashkë me Tonin me e ngritë flamurin tonë për të cilën është derdhur shumë gjak në piedestalin më të madh sportiv. Ka qenë nder dhe krenari jashtëzakonisht e madhe për mua ta përfaqësojë Kosovën si sportiste plot 20 vite dhe jam shumë me fat që mu ka dhënë mundësia t’i tregoj botës se sa shumë kemi vlera si popull, si komb”, tha Kelmendi. 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Nga ekstremisti rus tek ish-polici serb/ Kush janë kriminelët e huaj që gjetën strehë në Shqipëri

Story i radhës

Grubi: Nga sot në Maqedoni të Veriut hyrja dhe dalja pa certifikatë vaksinimi

Të fundit nga