​Kujtimi i një masakre dhe shpresa për drejtësi

May 2, 2025
min lexim

2 maji i vitit 1999 mbeti një ditë e rëndë dhe plot tmerr për shumë familje në Studime dhe fshatrave përreth Vushtrrisë. Në atë ditë tragjike, forcat serbe vranë dhe masakruan 116 civilë shqiptarë.

Familjarët e atyre që humbën jetën, përveç dhimbjes që shoqëron humbjen e të dashurve, kanë një tjetër plagë të hapur: pas 26 vjetësh, askush nuk ka marrë dënimin për këtë krim.

E mbijetuara e masakrës në Studime të Vushtrrisë, Bahrije Gërxhaliu, tregon se ushtria serbe i vrau burrin e saj, Ilmi Gërxhaliun, bashkë me kunatin e saj, vëllain e Ilmiut, Skënder Gërxhaliu.

Në një rrëfim për KosovaPress, Gërxhaliu thotë se 2 maji i vitit 1999 është dita më e tmerrshme e saj, ku humbi bashkëshortin e saj. Ajo thotë gjithçka ndodhi rreth orës 19:30 pasi forcat serbe pritën muzgun për të bërë këtë masakër.

Gërxhaliu: Kemi pa tmerr me sy

“Dita e 2 majit 1999 është një ditë e tmerrshme, vetëm ai që e ka përjetuar di të tregojë se çfarë tmerri kemi parë me sy. Këtu e kam të vrarë burrin, Imer Gërxhaliun, kunatin Skënder Gërxhaliu, djalin e axhës, Ismajl Popova. Kam qenë në bashkësi me bashkëshortin kur ma kanë vrarë, sa që është edhe më tronditëse, po lërë që ma kanë vrarë burrin, ma kanë marrë edhe fëmiun 2 vjet e gjashtë muaj prej prehrit. Kjo është tragjedi shumë e rëndë… E kam vajzën dhe kam shpëtuar, për mua është shumë rëndë“, tha ajo.

Krahas dhimbjes së madhe që ndjen, e mbijetuara e kësaj masakre ku u vranë 116 gra, fëmijë, burra e pleqë, thotë se janë të zhgënjyer që kryesit e këtij krimi nuk janë vënë para drejtësisë.

Gërxhaliu: Familjarët jemi të zhgënjyer, sot e 26 vjetë ende askush nuk ka dalë para gjyqit.

“Inshalla do t’i bëjë Zoti që ky gjak të mos humbasë, çka jemi si familjarë të zhgënjyer. Vetëm me drejtësinë, sot e 26 vjet ende askush nuk ka dalë para gjyqit për t’u gjykuar ata që e kryen këtë masakër”, tha ajo.

Ismajl Zhegrovës më 2 maj 1999 serbët ia vranë vëllain Naserin, 34 vjeçar, i cili pas vetës la gruan me dy fëmijë, djalë e vajzë.

Ai thotë se krahas dhimbjes që ndjen për humbjen e vëllait, ende më e rëndë është që askush nuk është gjykuar për vrasjen e tij.

Zhegrova: Vështirë që ende nuk është dënuar askush deri tani.

“Lajmin e kam marrë përmes një komshiut tim katër ditë më vonë, pasi kam qenë edhe vetë i internuar. Mbetën vetëm fëmijët e mi dhe të vëllait. Shumë vështirë që ende nuk është dënuar askush deri më tani, kjo për ne është shumë e rëndë”, tha ai.

Hazir e Asllan Muli janë ndër martirët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e këtij fshati.

Nexhmiu, djali i Hazir Mulit, në një rrëfim për KosovaPress, tregon se lajmin për vrasjen e babait dhe axhës e mori përmes televizioneve shqiptare pasi atëkohë ndodhej në Gjermani. Nën emocion, Muli tregon se edhe më e vështirë për të bëhej që nuk dinte asgjë për fatin e familjarëve të tjerë.

Edhe sot, 26 vite nga kjo masakër, Muli kërkoi drejtësi për familjarët e tij, për çka konsideron se politika ka dështuar.

Muli: Politika ka dështuar, nuk ka

“Dy ditë pas masakrës e kemi mësuar që është vrarë babai dhe axha në këtë masakër. Është tmerr i madh që është vrarë prindi dhe axha, dhe është tmerr i madh mos me ditë a kanë shpëtuar nëna, motra dhe vëllai. Drejtësi nuk ka, sepse që 26 vite nuk ka punuar askush për këtë. Politika ka dështuar, kërkojmë drejtësi, tërë jetën kemi kërkuar”, tha ai.

Edhe në 26 vjetorin e masakrës në fshatin Studime të Vushtrrisë u tha se vetëm duke u vënë drejtësi për të rënët e kësaj masakre do të ketë paqe të qëndrueshme.

26 vjet më parë, më 2 maj të vitit 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan 116 civilë të pafajshëm shqiptarë. Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugën për në Shqipëri.

Burimi: botasot.info

MARKETING

RENT A CAR

Story i mëparshëm

Për herë të parë, Putin zbulon rezidencën e tij luksoze në qendër të Kremlinit – dalin pamjet

Story i radhës

E Artë si Versace: Donatella feston 70 vite stil e fuqi

Të fundit nga

sqmken
ShkoLartë