Ndoshta ajo që e keni kërkuar gjatë gjithë kohës është ta gjeni një punë të mirë dhe nuk e keni vrarë mendjen për asgjë tjetër. Nëse nuk keni menduar edhe aq shumë për të ardhmen tuaj është koha ta merrni seriozisht sepse në intervistën e punës mund të pyetesh “Ku e sheh veten pas pesë vjetësh”, ose pyetje të tilla të ngjashme.
Mund të jetë e vështirë ta krijoni një fjali marrë parasysh që pesë vjet ju duken rrugë e gjatë dhe nuk e dini saktësisht se çfarë do të ndryshojë gjatë saj. Por, edhe nëse nuk e dini është mirë ta përgatitni një përgjigje të kujdesshme.
Si të përgjigjeni?
Si për çdo pyetje të intervistës edhe në këtë duhet të jeni të sinqertë, por duhet të përshtatet me industrinë për të cilën keni aplikuar. Pra, nëse jeni duke aplikuar për ndonjë pozitë në financa, nuk mund të thoni që po mendoni të diplomoni në arte të bukura.
Përgjigjet e varfra e bëjnë punëdhënësin të mendojnë që jeni në një gjendje në të cilën nuk e njihni madje as veten dhe nuk jeni person që mendon të investojë në karrierë. Pra, nuk do t’ju shohin si të përshtatshëm për kulturën e kompanisë.
Shembuj të mirë për t’u përgjigjur
Hulumtoni për pozitën tuaj
Është mirë të shihni paraprakisht se sa qëndrojnë punonjësit zakonisht në pozitën dhe industrinë tuaj, çfarë bëhen me pas. Shembull, nëse dëshironi të kaloni nga pozita në të cilën keni aplikuar në menaxhim, duhet të jeni në gjendje të hulumtoni nëpër faqet të punonjësve dhe kompanisë për të parë nëse ka ngritje në karrierë. Pastaj mund të përgjigjeni kështu:
“Unë jam e etur t’i zhvilloj aftësitë e mia në këtë pozitë. Kam vënë re që punonjësit e kompanisë suaj promovohen, dhe kjo është diçka që më intereson në planin tim pesëvjeçar”.
Diskutoni interesin
Në mesin e gjërave që i kërkojnë më së shumti punëdhënësit është edhe motivimi i punonjësit për punë. Duhet të tregoni që jeni të interesuar për të punuar e për t’i shtuar shkathtësitë tuaja. Në fund të fundit punëdhënësi e dëshiron dikë i cili është i lumtur dhe i aftë në një pozitë për së paku një ose dy vjet.
“Një nga gjërat që më tërhoqi në këtë punë është mundësia për të bërë shumë detyra të ndryshme në të njëjtën kohë. Si asistent administrativ i agjencisë së pasurive të paluajtshme, e di se do të kisha shumë hapësirë për të vazhduar ndërtimin e aftësive të mia për shërbimin ndaj klientit, si dhe një shans për të vënë në përdorim aftësitë e mia të dizajnit në rafinimin e faqes së internetit të kompanisë. Jam gjithashtu i emocionuar të mësoj më shumë rreth biznesit nga agjentët më të vlerësuar në industri”.
Kur nuk ka rrugë të qartë të karrierës
Disa punë si shitjet, këshillimi, planifikimi i eventeve, mësimdhënia ose programimi kompjuterik nuk ka hapësirë për pozita më të larta. Prandaj është plotësisht e kuptueshme të përqendroheni në disa pjesë të punës në të cilat dëshironi të shkëlqeni.
“Brenda pesë vjetësh, do të doja të njihesha si ekpert përsa i përket njohurive të produktit, të krijoja marrëdhënie shumë të ngushtë me klientë, ta rrisja numrin e tyre, e mbase edhe të zgjerohesha edhe jashtë vendit”.
Tregoni qëllimet tuaja
Përdorni rezultatet që dëshironi t’i arrini si plan për të ardhmen. Ta zëmë që po aplikoni për mësimdhënës dhe po përpiqeni ta përmirësoni paraqitjen në testet e standardizuara, mund të thoni:
“Do të doja ta rrisja përqindjen e nxënësve që kanë aftësi kuptimore përmes metodave kreative mësimore”.
Sigurisht për secilën përgjigje mund të jepni shembuj, kjo vetëm sa do t’jua përforcojë përgjigjen tuaj.