Komisioni për sëmundje infektive të premten do të mbajë mbledhje, në të cilën do të diskutohet rreth gjendjes me koronavirusin në vend, thonë për MIA-n nga Komisioni. Sipas statistikave të djeshme, 34 për qind nga numri i përgjithshëm i të testuarve janë pozitivë, ndërsa nuk ka asnjë të vdekur.
Deri dje aktivë kanë qenë 1,889 raste me koronavirus. Më shumë raste aktive ka pasur në Shkup – 1045, përderisa në Krushevë, Demir Kapi, Makedonska Kamenicë dhe Pehçevë nuk ka pasur të regjistruar me koronavirus.
Përderisa në vendin tonë gjendja me koronavirus është stabile, rajoni po përgatitet për valën e re të virusit.
Në Bullgari prej të hënës kthehet mbajtja e maskave, ndërsa në Shqipëri vijon trendi i rritjes së rasteve të reja me Kovid-19. Në periudhën e djeshme janë regjistruar 1,125 raste të reja me virus, ose 46,3 për qind të testimeve ishin pozitivë. Edhe në Austri në mënyrë drastike po rritet numri i të infektuarve ku në 24 orët e fundit janë regjistruar 15,149 raste të reja dhe nëntë viktima.
Organizata Botërore e Shëndetësisë apelon që Kovid-19 është ende një emergjencë globale, pothuajse dy deri në dy vjet e gjysmë pasi u shpall për herë të parë.
Vaksinimi për dozën e katërt kundër koronavirusit është gjithashtu duke u zhvilluar. Dozën e katërt mund ta marrin të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç që kanë marrë tre dozat e vaksinës kundër Kovid-19, në të gjitha pikat e vaksinimit pa termin. Vaksinimi me dozën e katërt, siç njofton Ministria Shëndetësisë, është planifikuar të kryhet me vaksinë mRNA të “Fajzer” ose “Moderna”. Intervali i rekomanduar ndërmjet dozës së tretë dhe të katërt, pra dozës përforcuese, është të paktën katër muaj.
“Vaksinimi me dozën e katërt rekomandohet veçanërisht për pacientët me sëmundje kronike, pacientë me dializë, pacientë të transplantuar, pacientë onkologjikë, pacientë me imunitet të kompromentuar dhe pacientë që marrin terapi imunosupresive dhe imunomoduluese për çdo indikacion dhe për personat mbi 60 vjeç. Vaksinimi është masa më e mirë parandaluese për t’u mbrojtur nga një formë më e rëndë e virusit Kovid-19. Shteti ka sasi të mjaftueshme të vaksinave, të cilat janë të sigurta dhe efektive dhe u bëjmë thirrje qytetarëve që të imunizohen në pikat e vaksinimit me vaksinë kundër Kovid-19, për të fituar imunitet shtesë”, njofton Ministria e Shëndetësisë.