Kryqi i Kuq është gati të ofrojë ndihmë humanitare për Korenë e Veriut

min lexim

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) njoftoi sot se organizata është e gatshme të ofrojë ndihmë humanitare për Korenë e Veriut sa herë që Pheniani ta kërkojë, transmeton Anadolu.

Drejtori i Mobilizimit, Lëvizjes dhe Partneriteteve të KNKK-së, Olivier Ray tha se ata janë në kontakt me Shoqërinë e Kryqit të Kuq të Koresë së Veriut dhe janë të gatshëm të rifillojnë projektet e ndihmës të pezulluara në vitin 2020 për shkak të pandemisë së COVID-19.

“KNKK nuk ka akses në Republikën Popullore Demokratike të Koresë për shkak të kufizimeve të lidhura me COVID-in e vendosur nga qeveria atje në vitin 2020”, tha Ray në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Yonhap”.

Në mars, ekspertët e Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmëruan se izolimi i Koresë së Veriut nga pandemia e COVID-19 ka përkeqësuar më tej vuajtjet e popullit të saj.

Elizabeth Salmon, raportuesja speciale e OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut, zyrtarisht Republika Popullore Demokratike e Koresë, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i kushtojë vëmendje urgjente përkeqësimit të aksesit në ushqim, ilaçe dhe kujdes shëndetësor në këtë vend.

Pavarësisht shpalljes së fitores kundër COVID-19 në gusht të vitit të kaluar dhe heqjes së të gjitha kufizimeve në të gjithë vendin, Pheniani ende nuk i ka lejuar organizatat ndërkombëtare humanitare të rifillojnë punën.

“Por, ne mbetemi në kontakt me Shoqërinë e Kryqit të Kuq të DPRK-së. Ne kemi disa informacione përmes atij kanali dhe jemi gati të angazhohemi përsëri sa herë që kemi qasje”, tha Ray.





Story i mëparshëm

Italia dominon garën “sprint” në Mugello

Story i radhës

Shiste kokainë pranë një shkolle në Korçë, bie në prangat e policisë 26-vjeçari

Të fundit nga