Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka zhvilluar një takim me Presidenten e Parlamentit të Bremen, Antje Grotheer.
Në kontekstin e bashkëpunimit me Bundestagun dhe parlamentet e Landeve të Gjermanisë, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, po zhvillon një vizitë zyrtare në Landet Bremen dhe North Rhine- Wesfalia.
Gjatë vizitës në Bremen, Kryetarja Nikolla u takua me Presidenten e Parlamentit të Bremen, Antje Grotheer.
Pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe dialogun intensiv politik të nivelit të lartë, znj. Nikolla nënvizoi mundësinë dhe dobinë e bashkëpunimit me parlamentet e landeve. “Decentralizimi i bashkëpunimit parlamentar mes Kuvendit dhe Landeve është një rrugë për të afruar më shumë institucionet, bizneset dhe njerëzit e vendeve tona. Bashkëpunimi me Bremenin, si një qendër e rëndësishme ekonomike e kulturore e Gjermanisë, është me shumë interes. Bashkëpunimi i Kuvendit me Parlamentin e Landit do të nxisë edhe bashkëpunimin mes institucioneve të tjera si edhe bashkëpunimin ekonomik e tregtar në fushat e energjisë, turizmit, telekomunikacionit, infrastrukturës, agrobiznesit, bashkëpunimin arsimor, kulturor dhe në sektorë të tjerë. Bashkëpunimi mund të përfshijë edhe mbështetjen e Landit ndaj integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, në kontekstin e Procesit të Berlinit”, nënvizoi Nikolla.
Presidentja e Parlamentit të Bremen, Antje Grotheer, vuri në dukje se Parlamenti dhe institucionet e tjera të Landit mirëpresin bashkëpunimin me Kuvendin, institucionet dhe qytetet shqiptare. Përveç bashkëpunimit ekonomik e tregtar dhe nxitjes së investimeve, kryeparlamentarja Grotheer theksoi rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit mes deputetëve të rinj dhe parlamenteve rinore.
Kryetarja Nikolla e ftoi Presidenten Parlamentit të Bremen, Antje Grotheer, për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë.