Kryetari në mesin e 16 të vrarëve nga sulmi izraelit në ndërtesë komunale në Liban

min lexim

Ushtria izraelite e ka bombarduar një ndërtesë komunale në një qytet në jug të Libanit të mërkurën, duke i vrarë 16 njerëz, përfshirë kryetarin e komunës, njoftuan zyrtarët libanezë.

Ky ishte sulmi ma i madh ndaj një ndërtese shtetërore të Libanit prej se Izraeli i nisi bombardimet.

Zyrtarët e Libanit e dënuan këtë sulm në Nabatieh, si pasojë e të cilit u plagosën gjithashtu mbi 50 njerëz. Ata thanë se kjo ishte dëshmi se fushata ushtarake e Izraelit kundër grupit të armatosur Hezbollah, po zhvendoset tani edhe kundër shtetit të Libanit.

Izraelitët “me qëllim kryen sulm ndaj një takimi të këshillit komunal, ku po diskutohej për shërbimet dhe ndihmat” për njerëzit e zhvendosur nga fushata izraelite, tha kryeministri i përkohshëm i Libanit, Najib Mikati.

Ushtria izraelite tha të mërkurën se ka goditur dhjetëra shënjestra të Hezbollahut në zonën e Nabatiehit dhe se marina e saj gjithashtu ka goditur dhjetëra shënjestra në jug të Libanit.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha gjatë një vizite në veri të Izraelit në afërsi të kufirit se Izraeli nuk do t’i ndalë sulmet ndaj Hezbollahut për lejimin e bisedimeve.

“Hezbollahu është duke vuajtur shumë. Ne do të mbajmë bisedime vetëm gjatë shkrepjes së zjarrit. E kam thënë këtë në ditën e parë, e kam thënë në Gazë dhe po e them sot këtu”, tha ai.

Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të hidhte raketa në veri të Izraelit në mbështetje të grupit militant palestinez Hamas, në fillim të luftës në Gaza.

Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – kreu një sulm në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz.

Në javët e fundit, konflikti është përshkallëzuar, pasi Izraeli është duke e bombarduar pareshtur jugun e Libanit, periferitë jugore të Bejrutit dhe Luginën Beka, duke vrarë shumë nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore përtej kufirit.

Nga ana e tij, Hezbollah ka hedhur raketa më thellë brenda Izraelit.

Izraeli thotë se lufta e tij në Liban synon ta bëjë veriun e Izraelit të sigurt për dhjetëra mijëra njerëz që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë vitit të fundit si pasojë e sulmeve raketore nga Hezbollahu.

Operacioni i zgjeruar i Izraelit i ka zhvendosur më shumë se 1.2 milion njerëz, sipas qeverisë libaneze, e cila thotë se më shumë se 2.100 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10.000 janë plagosur gjatë një viti luftimesh.

Raketat e Hezbollahut kanë vrarë të paktën 54 njerëz në Izrael, më shumë se gjysma e tyre civilë, sipas autoriteteve izraelite.

Burimi: botasot.info

Story i mëparshëm

Ndryshime në ASK, Bojan Hristovski drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare!

Story i radhës

Goditën me shishe qelqi në fytyrë Klea Prengën, vetëdorëzohen në polici motrat Berisha

Të fundit nga