Projekti historik për furnizimin me ujë të pijshëm në Luboten dhe Lubancë po përparon me dinamikë të shkëlqyeshme, duke shënuar një hap të rëndësishëm për përmirësimin e jetës së banorëve të këtyre vendbanimeve.
Kryetari i komunës së Butelit Darko Kostovski ka informuar se sot, në një nga mbledhjet e Qytetit të Shkupit, u miratua vendimi për vendosjen e bashkëpunimit ndër komunal ndërmjet Komunës së Butelit dhe Qytetit të Shkupit. Ky vendim, i mbështetur me shumicë votash, garanton lidhjen e rrjetit të ujësjellësit të qytetit të Shkupit me rrjetin e ri të ujësjellësit për Lubotenin dhe Lubancën.
“Projekti historik i ujit të pijshëm në Lubancë dhe Luboten po përparon me dinamikë të shkëlqyeshme! Sot në mbledhjen e Qytetit të Shkupit, me shumicë votash PËR, është miratuar vendimi për vendosjen e bashkëpunimit ndërkomunal ndërmjet Komunës së Butelit dhe Qytetit të Shkupit. Bëhet fjalë për një vendim i cili garanton lidhjen e rrjetit të ujësjellësit të qytetit të Shkupit me rrjetin e sapo planifikuar të ujësjellësit për Lubancën dhe Lubotenin. Faza e parë e këtij projekti historik do të financohet nga Ambasada Amerikane, me vlerë prej 800 mijë dollarëve. Dy fazat e tjera të projektit do të financohen nga qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komuna e Butelit. Dokumentacioni i projektit është përgatitur nga Komuna e Butelit në vlerë prej 5 milionë denar” ka shkruar në faqen e tij zyrtare në facebook kryetari i Butelit Darko Kostovski.
Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski gjithashtu ka theksuar rëndësinë e këtij projekti, duke u zotuar për angazhimin e tij për zhvillim të barabartë në të gjitha pjesët e komunës me të cilën ai udhëheq.
“Ky është vetëm fillimi. Zhvillimi i zonave rurale është prioritet për ne, sepse të gjithë qytetarët meritojnë kushte të barabarta jetese dhe infrastrukturë moderne”, ka shkruar më tej Kostovski.
Sipas Kostovskit ky projekt historik jo vetëm që zgjidh një problem afatgjatë të furnizimit me ujë të pijshëm, por gjithashtu forcon bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe sjell përfitime afatgjata për banorët e Lubotenit dhe Lubancës.