Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, bashkë me ekipin e tij, kanë ndërmarr një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes aktive të qytetarëve në krijimin e buxhetit të komunës për vitin 2025.
Nga sot, ekipe të organizuara të komunës kanë nisur të vizitojnë një numër të madh të amvisërive në vendbanimet e Butelit, me qëllim të mbledhjes së ideve dhe propozimeve që pasqyrojnë nevojat reale të qytetarëve.
“Bashkë me qytetarët po ndërtojmë të ardhmen e Komunës së Butelit! Edhe sivjet komuna e Butelit po krijon buxhet bashkë me qytetarët. Nga sot ekipe të organizuara nga komuna e Butelit do të vizitojnë një numër të madh të amvisërive në të gjitha vendbanimet tona. Këto ekipe do të mbledhin propozime dhe ide për buxhetin e ri”, ka shkruar në faqen e tij zyrtare në facebook, kryetari i Butelit Darko Kostovski.
Kostovski ka informuar banorët e Butelit se për më shumë mundësi komunikimi, qytetarët do të mund t’i dërgojnë propozimet e tyre edhe në arkivin e Komunës së Butelit, në email adresën [email protected] apo në numrin e telefonit: 075 274 421
Sipas kryetarit të komunës së Butelit, kjo iniciativë synon të krijojë një buxhet që reflekton kërkesat dhe zgjidhjet që vetë qytetarët i propozojnë, duke forcuar lidhjen mes tyre dhe pushtetit lokal.
Komuna e Butelit mbetet e përkushtuar për një të ardhme të qëndrueshme, moderne dhe të begatë, duke ndërtuar së bashku me qytetarët një Butel evropian.