Lagja Vizbeg e komunës së Butelit deri në fund të këtij viti do të pasurohet me kënd të ri sportiv, brenda oborrit të Shkollës Fillore “Shën Klimenti i Ohrit”. Këtë informacion sot e ka shpalosur kryetari i komunës së Butelit, Darko Kostovski përmes një statusi të publikuar në faqen e tij zyrtare në facebook, shkruan GAZETA.MK
Sipas Kostovskit ky kënd i ri sporti do të përmbajë një fushë futbolli dhe dy tablo për basketboll të dimensioneve 3×3. Gjithashtu e tërë sipërfaqja e këndit të ri sportiv do të shtrohet me një shtresë të re speciale të certifikuar, do të bëhen nga e para edhe grilat metalike si dhe do të vendoset ndriçim i ri led që kursen energji elektrike.
Kryetari i Butelit gjithashtu ka thënë se ai dhe ekipi i tij po investojnë në të gjitha pjesët e komunës me të cilën ai menaxhon dhe me këtë rast zhvillimi i infrastrukturës sportive është bërë si asnjëherë më parë.
“Në vendbanimin Vizbeg vitin e ardhshëm, përkatësisht gjatë vitit 2023 do të bëhen investime shtesë në infrastrukturën rrugore. Gjatë kësaj periudhe është duke u përgatitur dokumentacioni i projekteve. Komuna e Butelit deri në fund të vitit do të pasurohet me disa kënde të reja sportive dhe kënde lojërash për fëmijë!”, ka shkruar Kostovski.