Kryerabini izraelit: Hebrenjtë laikë janë me inteligjencë të ulët

Kryerabini izraelit Yitzhak Yosef tha se njerëzit laikë në vend “janë më pak inteligjentë sepse nuk hanë ushqim kosher” në përputhje me rregullat fetare dhe se janë xhelozë për hebrenjtë ultra-ortodoksë (Haredi), transmeton Anadolu.

Deklaratat e kryerabinit Yosef u transmetuan në kanalin televiziv izraelit Channel 13.

Yosef argumentoi se mendjet e njerëzve laikë që jetojnë në Izrael “janë të dëmtuara sepse ata nuk hanë ushqim kosher” në përputhje me rregullat fetare hebraike dhe ata janë më pak inteligjentë.

Rabini Yosef tha se njerëzit laikë në Izrael “nuk mund ta shijojnë jetën sepse janë duke ndjekur botën” dhe shtoi: “Sekularët i shohin hareditët me familjet, fëmijët dhe festat e tyre dhe janë xhelozë për ta. Urrejtja e tyre ndaj pjesës Haredi vjen nga kjo xhelozi”.

Reagim nga opozita

Ndërkohë, lideri kryesor i opozitës dhe ish-kryeministri Yair Lapid ka thënë në shenjë reagimi: “Rabini Yosef tregoi se ai nuk është kryerabin, por rabin i një grupi njerëzish gojëndyrë, që shajnë shërbyesit në ushtri, ata që rrezikojnë dhe sakrifikojnë jetën e tyre për këtë vend dhe ata që punojnë dhe mbajnë gjallë këtë vend”.

“Ai kishte të drejtë për një gjë, laikët u ndien pak budallenj kur kujtuan se ishin ata që e paguanin rrogën e tij”, tha ai.

Hareditët përbëjnë afërsisht 12 për qind të popullsisë së Izraelit

Hareditët, shumica e të cilëve refuzojnë të shërbejnë në ushtri për arsye fetare në Izrael, përbëjnë afërsisht 12 për qind të popullsisë së vendit prej rreth 9 milionë banorësh.

Shumica e hebrenjve Haredi në vend jetojnë në lagjen Measherim në Kudsin Perëndimor dhe në qytetin Bnei Brak pranë kryeqytetit Tel Aviv.

Aleanca e koalicionit të liderit të Likud, Benjamin Netanyahu, i cili fitoi zgjedhjet e 1 nëntorit në Izrael, përfshin partinë ultra-ortodokse Shas si dhe parti të ekstremit të djathtë.

Shumica e hebrenjve Haredi, të cilët kanë mosmarrëveshje me hebrenjtë laikë për shumë çështje dhe refuzojnë të integrohen me pjesën tjetër të shoqërisë, refuzojnë gjithashtu të shërbejnë në ushtri, duke përmendur arsye të tilla si mungesa e një mjedisi të përshtatshëm për të praktikuar fenë e tyre në ushtri.

Në Izrael ka 3 vjet shërbim të detyrueshëm ushtarak për burra dhe gra. Hareditët, të cilët ndjekin judaizmin ultra-ortodoks, përjashtohen nga shërbimi ushtarak nëse marrin arsim në Kurset e Toras (Yeshiva) deri në moshën 26 vjeç.

Raportet nga Ministria izraelite e Financave dhe Instituti Qendror i Statistikave zbuluan se në vitin 2022 izraelitët laikë paguanin 6 herë më shumë taksa se hebrenjtë ultra-ortodoksë.





Story i mëparshëm

Shtrenjtohet çmim i naftës, bie çmimi i benzinës

Story i radhës

A është kthimi i Britanisë në BE ende në tryezë?

Të fundit nga