Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Türkiyes (TBMM), Mustafa Şentop, ka zhvilluar një takim me kreun e dhomës së ulët të parlamentit rus, Dumës së Shtetit, Vyacheslav Volodin, si dhe delegacionin shoqërues, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit kokë me kokë Şentop-Volodin u zhvillua edhe takimi mes delegacioneve.
Në fjalimin e tij në konferencën e përbashkët për media pas takimit, Şentop theksoi se në takim janë trajtuar shumë çështje rajonale dhe globale, përfshirë marrëdhëniet bilaterale.
Mes tjerash, ai tha se në takim kanë trajtuar edhe avancimin e marrëdhënieve mes parlamenteve të Türkiyes dhe Rusisë.
“Marrëdhëniet Türkiye-Rusi në nivel politik, ndërqeveritar, ekonomik dhe tregtar janë në një pikë shumë të mirë”, tha Şentop, duke shprehur besimin se në këtë drejtim do të forcojnë marrëdhëniet bilaterale, përfshirë këtu edhe marrëdhëniet mes parlamenteve të të dyja vendeve.
Sipas tij, marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Rusisë nuk përbëhen vetëm nga marrëdhëniet bilaterale, por se kanë një efekt që shërbejnë në paqen botërore dhe zhvillimin e njerëzimit në çdo fushë qoftë rajonale e qoftë globale.
Şentop theksoi se po jetojmë në një botë që ndodhet në një ndryshim të shpejtë dhe se tashmë nuk ka një rend botëror bipolar ose unipolar. Ai shtoi se tashmë po jetojmë në një rend botëror shumë-polar.
“Në një periudhë të tillë, marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht marrëdhëniet e dy aktorëve kryesorë në rajon, do të ofrojnë përfitime si për paqen rajonale ashtu edhe për atë globale”, theksoi kryeparlamentari turk.
“Ne e dimë që Marrëveshja e Istanbulit për dërgesat e drithit është një produkt konkret i këtyre marrëdhënieve me bazë sinqeritetin dhe besimin dhe është një marrëveshje shumë e rëndësishme në aspektin e gjithë botës”, shtoi ai.
Në bisedimet është trajtuar edhe lufta kundër terrorizmit
Volodin, nga ana e tij, tha se pandemia e koronavirusit COVID-19 ka ndikuar negativisht edhe në shëndetin e qytetarëve, por edhe në ekonomi, ndërsa duke mos mjaftuar me këtë, sipas tij, ka çrregulluar edhe marrëdhëniet mes parlamenteve.
Duke përcjellë një fjalë popullore ruse “Pa dialog nuk ka besim, pa besim nuk është i mundshëm zhvillimi”, Volodin theksoi se për shkak të pandemisë nuk kanë arritur të nisin formatin që kanë dëshiruar të fillojnë më përpara.
Sipas tij, lokomotiva e marrëdhënieve mes dy vendeve janë presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Duke informuar rreth formatit të ri, Volodin tha se është një komision i nivelit të lartë të bashkëpunimit midis TBMM dhe Këshillit të Federatës Ruse, mbledhja e parë e të cilit planifikohet të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm.
Volodin gjithashtu njoftoi se në bisedimet me homologun e tij turk kanë trajtuar edhe luftën kundër terrorizmit dhe bashkëpunimin ndër-rajonal.
“Lufta kundër terrorizmit në rajon është prioritet i çdokujt. Në këtë konferencë presim edhe pjesëmarrës nga Irani, Pakistani, Kina, Siria dhe vende tjera. Do të trajtojmë së bashku çështjet për të cilat jemi në solidaritet. Në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm mendojmë të bëhemi nikoqir i këtij aktiviteti”, tha ai.
Volodin në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Türkiye u takua edhe me presidentin Erdoğan.