Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka pritur në takim kryetaren e Kuvendit Shtetëror të Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiq, e cila qëndron për vizitë zyrtare në Shkup.
Siç njoftoi Mickoski në rrjetet sociale, bashkangjitur një postimi me fotografi nga pritja, takimi ishte një mundësi për të konfirmuar marrëdhëniet miqësore dhe të partneritetit midis dy vendeve, si dhe për të hapur mundësi të reja për bashkëpunim në disa fusha me interes të ndërsjellë.
“Shkëmbyem mendime mbi nxitjen e bashkëpunimit parlamentar, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, si dhe mbi rolin e parlamenteve në proceset e integrimit evropian dhe stabilitetit rajonal”, shkroi Mickoski.
Ai po ashtu tha se u shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Sllovenia i ofron Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj evropiane, si dhe për qëndrimin e qartë dhe të padiskutueshëm mbi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE).
Pasditen e djeshme, kryeparlamentarja Klakoçar Zupançiq në kuadër të vizitës së saj zyrtare u prit në takim nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Burimi: alfax.mk