Delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski sot merr pjesë në takimin e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Samitit për Procesin e Berlinit, që në organizim të kancelarit gjerman Olaf Sholc, mbahet në kryeqytetin gjerman, Berlin.
Në përbërje të delegacionit qeveritar do të jenë zëvendës kryeministri i obliguar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Siç kumtoi Kabineti i Sholcit, në Samitin në Berlin u paralajmërua pjesëmarrja e shefave të qeverive të gjashtë vendeve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, e kryetares së Komisionit Evropian, Ursulla fon der Lajen, njeriut të parë të Këshillit Evropian, Sharl Mishel, ish nikoqirëve të samiteve të Procesit ballkanik, si dhe të përfaqësuesve të anëtarëve të BE-së nga rajoni dhe të organizatave rajonale dhe ndërkombëtare.
Është paraparë që në samit të mbahen disa sesione, në të cilat kryeministri Kovaçevski, së bashku me liderët nga Shqipëria, Serbia, Kosova, BeH-ja dhe Mali i Zi, do të diskutojnë për bashkëpunimin rajonal dhe tregjet e përbashkëta rajonale, stabilitetin dhe transformimin energjetik, si dhe perspektivat e procesi i Berlinit dhe çështjet strategjike.
Gjatë Samitit do të nënshkruhen edhe tre marrëveshje rajonale për mobilitet, të cilat kanë të bëjnë me njohjes së kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor, njohjes reciproke të kualifikimeve të arsimit të lartë për doktorët e mjekësisë, stomatologjisë dhe arkitektëve, si dhe lirinë e lëvizjes me karta identiteti. mes vendeve të rajonit.
Procesi i Berlinit është format i takimeve vjetore që i ka iniciar Qeveria gjermane, në kohën e kancelares Angela Merkel në vitin 2014, kur në Berlin u mbajt Konferenca për Ballkanin Perëndimor. Pas atij samiti në Berlin, nikoqirë ishin Vjena në vitin 2015, Parisi në vitin 2016, Triesta në vitin 2017, Londra në vitin 2018, Poznanj në vitin 2019 dhe Sofja në vitin 2020.
Qëllimi i Procesit të Berlinit është përforcimi dhe avancimi i bashkëpunimit midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me mbështetjen e Komisionit Evropian, në fushën e proceseve reformuese, tregjeve të përbashkëta, njohjes reciproke të kualifikimeve profesionale dhe lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, me qëllim që të kontribuohet për rritje dhe zhvillim të përshpejtuar ekonomik rajonal të rajonit.
Si pjesë të Procesit të Berlinit, çdo vit organizohen takime të përfaqësuesve në sferën e politikës, biznesit dhe shoqërisë qytetare.
Këtë vit më 20 tetor u mbajt mbledhja e ministrave të punëve të brendshme, ndërsa më 21 tetor edhe të shefave të diplomacive. Në të dy mbledhjet, të cilat po ashtu u mbajtën në Berlin, krahas përfaqësuesve të gjashtë vendeve nga rajoni dhe Komisionit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare, kanë marrë pjesë edhe ministra nga Austria, Bullgaria, Britania e Madhe, Greqia, Italia, Polonia, Sllovenia, Franca, Kroacia dhe Çekia.