Kryeministri izraelit: Unë urdhërova vrasjen e komandantëve të Xhihadit Islamik një javë më parë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se një javë më parë ai dha urdhër për të vrarë komandantët brenda grupit të Xhihadit Islamik, transmeton Anadolu.

Netanyahu foli pas një takimi të kabinetit të sigurisë, gjatë të cilit ai tha se sulmet ajrore izraelite në Gaza ishin në përgjigje të raketave të javës së kaluar nga territori palestinez.

Javën e kaluar, grupet palestineze lëshuan breshëri raketash nga Gaza në Izrael në përgjigje të vdekjes së një palestinezi që ishte në grevë urie në një burg izraelit.

Netanyahu tha se sulmet ajrore “amputuan udhëheqjen e organizatës (Xhihadi Islamik) në Gaza”.

“Ne jemi në mes të një fushate dhe jemi gati për çdo mundësi. Unë i këshilloj armiqtë tanë… mos u ngatërroni me ne”, tha kryeministri izraelit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Palestinës, të paktën 15 palestinezë u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore izraelite në Gaza gjatë ditës së sotme. Vdekjet përfshinë katër fëmijë dhe katër gra.

Fraksionet palestineze në Gaza janë zotuar të hakmerren kundër sulmeve ajrore izraelite që vranë tre komandantë të lartë ushtarakë nga grupi i Xhihadit Islamik.

Disa vende dhe organe rajonale kanë dënuar sulmet ajrore izraelite në Gaza, përfshirë Jordaninë, Egjiptin, Katarin, Türkiyen, Ligën Arabe dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC).





Story i mëparshëm

Plas debati në studion e ‘Për’puthen’, konkurrenti ja thotë troç opininistes Roza Lati: Nuk të njoh!

Story i radhës

Pas tre vitesh orët inteligjente të Apple do të përditësohen me një teknologji të fundit

Të fundit nga