Kryeministri holandez Mark Rutte ka njoftuar largimin e tij nga politika pas rënies së qeverisë të premten e kaluar për shkak të mosmarrëveshjeve mbi politikën e imigracionit, thanë mediat lokale, transmeton Anadolu.
“Vendosa që nuk do të mbetem lider i VVD-së (Partia Popullore për Demokraci dhe Liri) në zgjedhjet e ardhshme”, tha ai në një fjalim që mbajti në parlamentin e vendit, sipas transmetuesit publik holandez NOS.
Megjithatë, ai ka përsëritur se synon të qëndrojë si kryeministër derisa të formohet një qeveri e re pas zgjedhjeve që priten këtë vjeshtë.
Rutte ka mohuar gjithashtu pretendimet se synon të jetë shef i NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka konfirmuar së fundmi se do të zgjasë mandatin e tij për një vit, por që nga tetori 2024, do të duhet të ketë një pasardhës.
Të premten, pas ditësh bisedimesh midis anëtarëve kryesorë të kabinetit të udhëhequr nga Rutte, nuk u arrit marrëveshje dhe koalicioni qeverisës u rrëzua, duke i dhënë fund mandatit të katërt të kabinetit të Ruttes, i cili u inaugurua në janar 2022.