Kryediplomati rus Lavrov: SHBA-ja dhe NATO po përpiqen të marrin kontrollin e rajonit të Azi-Paqësorit

min lexim

Kryediplomati rus pohoi se SHBA-ja dhe NATO po përpiqen të marrin kontrollin e rajonit të Azi-Paqësorit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Aktualisht ekziston një strukturë gjithëpërfshirëse në rajon, por SHBA-ja dhe NATO po përpiqen të marrin kontrollin mbi këtë hapësirë. Ata kanë një strategji të promovimit të strukturave jogjithëpërfshirëse që konkurrojnë me ato gjithëpërfshirëse që janë krijuar rreth ASEAN-it”, tha ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov gjatë një konference për shtyp në margjinat e Samitit e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në kryeqytetin e Kamboxhias, Phnom Penh.

Lavrov pohoi gjithashtu se qëllimi i Perëndimit është të militarizojë rajonin për të “kufizuar interesat e Kinës dhe Rusisë në Azi-Paqësor”.

Ai më tej tha se “një nga manifestimet e kësaj politike është blloku AUKUS”, i formuar përmes një marrëveshjeje trepalëshe të sigurisë të nënshkruar nga Australia, Britania dhe SHBA-ja në shtator 2021.

“Ata (AUKUS) po përpiqen të tërheqin Zelandën e Re, Kanadanë dhe Japoninë në këtë bllok”, shtoi ai.

Lavrov u shpreh se nuk kishte asnjë vendim kolektiv për rezultatet e samitit të ASEAN-it, pasi SHBA-ja këmbënguli për një “vlerësim të papranueshëm të situatës në Ukrainë”.

Ai vuri në dukje se një komunikatë në lidhje me bashkëpunimin e mëtejshëm do të lëshohet nga presidenca kamboxhiane.

Në margjinat e samitit të ASEAN-it në Phnom Penh, Lavrov mbajti katër takime të shtunën me homologët e tij nga Indonezia, Laosi, Tajlanda dhe Vietnami, sipas Ministrisë së Jashtme ruse.

Burimi: GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Janë “zjarr” në shtrat, katër shenjat më pasionante të Horoskopit

Story i radhës

Kovaçevski – Trajanovit: Në kohën kur ai ishte në koalicion me Gruevskin, studentët rriheshin nëpër sheshe

Të fundit nga